E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani mes merkatos dhe djalit të tij, Aleksandrit

SHKRUAN: Jeton Selimi 14-06-2011 11:40

E ka mbyllur kampionatin duke gulçuar. Por në pjesën e parë të sezonit, e jo vetëm, ia ka hequr shpesh herë gështenjat nga zjarri Fikadentit duke i dhuruar Çezenës gola me peshë, gola shpëtimtarë. Por edhe shumë shpirt luftarak. Pra, nuk ka sesi të mos jetë pozitiv viti i parë i Erjon Bogdanit me fanellën bardhezi. Por pyetja që “djeg” më shumë është një e thjeshtë dhe spontane: a do të jetë sërish Shqiponja e Tiranës me Çezenë?

Bogdani, ku po i kaloni pushimet?

Në shtëpinë time, në Shqipëri. Këtë verë, ndryshe nga vitet e shkuara nuk do të rrugëtoj shumë.

Përse kështu?

Për 10 ditë do të lindë fëmija im i parë, djali im Aleksandër. Kështu, gjatë këtyre javëve do të kem tjetër gjë me se të merrem.

Për ju sapo është mbyllur një sezon me emocione dhe kënaqësi.

Mund të them se po. Shpëtimi i Çezenës, tetë golat e mi. Janë një bilanc pozitiv.

E mbani mend verën e shkuar kur mbërritët në Romanja? Nuk është se u pritët me entuziasëm.

Por megjithatë gjërat shkuan mirë apo jo? Në Serie A vetëm me Sienën në sezonin 2005-2006 kam arritur të shënojë 11 gola.

Një vit më parë kishte dyshime rreth Bogdanin, por edhe rreth Çezenës…

Edhe unë, për të qenë i sinqertë, në fillim kisha ngurrimet e mia rreth skuadrës. Grupi dukej i limituar, ishim shumë lojtarë që luanim për herë të parë bashkë. Megjithatë, gjithçka shkoi mirë. Madje, gjërat shkuan për mrekulli.

Sekreti juaj?

Grupi ishte kompakt. Por mbi të gjitha ishin lojtarët me kualitet që na futën në lojë dhe që janë sakrifikuar për të bërë edhe lojëra jashtë natyrësh, si Himenez për shembull.

Cilin prej golave tuaj kujtoni me më shumë kënaqësi?

Golin kundër Milanit në javën e dytë. Dy golat e shënuar kundër Leçes, një në ndeshjen e parë dhe një në të dytën. Sid he golin e rëndësishëm kundër Barit në fund të kampionatit.

Ato 3 pikë kanë qenë të rëndësishme për të arritur objektivin tuaj

E vërtetë. Por atë gol e kujtoj me kënaqësi të veçantë edhe sepse mbërriti në një periudhë të ëvshtirë për mua. Nuk po shënoja prej kohësh.

Pas një fillimsezoni të shkëlqyer, në muajt e fundit nuk po arrinit të qëndronit në ritmin tuaj.

Nuk mund të qëndrosh në top-formë për 9 muaj. Mos harroni se unë nuk kam pushuar kurrë. Kam luajtur gjithmonë. E pastaj Çezena ishte me fat.

Pse?

Sepse kur unë nuk po shënoja, ia dolën mbanë Xhakerini, Parolo e Himenez.

Ju në sulm e keni përballuar sezonin i vetëm. Mbase ndonjë kritikë ndaj jush gjatë këtij sezoni ka qenë e ekzagjeruar?

Kështu mendoj edhe unë, por futbolli kështu e ka.

Fikadenti ka ikur. Në sezonin e ardhshëm në krye të Çezenës do të jetë Xhampaolo.

Nuk e njoh personalisht, por gjatë këtyre viteve jam ndeshur disa herë më skuadrat e tij. Ata që më kanë folur rreth tij, më kanë thënë vetëm gjëra të mira.

Atëherë do të jeni edhe ju në grupin e këtij trajneri?

Unë te Çezena jam ndjerë mjaft mirë. Jam i lidhur me këtë klub edhe për një vit kontratë. Synimi është që të qëndroj, por..

Por?

Por vera është e gjatë. Agjenti im do të takohet me drejtuesit bardhezinj. Do të shohim. Megjithatë kam marrë oferta edhe nga jashtë edhe nga Italia.

Ndonjë emër konkret?

Jo, tani për tani nuk dua t’i bëj publikë. E megjithatë e përsëris: unë tani e kam mendjen vetëm te Çezena.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›