E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojken Lako: Martesa me Semin, ne plotësojmë njëri-tjetrin

TIRANE- Bojken Lako, artisti i dashur i skenës do të vijë sot në një intervistë të veçantë për faqet e suplementit “Summer Pages”. Mes rreshtave që do të pasojnë, Lako ndan me ne detaje nga jeta e tij artistike dhe private. Kështu, ai flet për projektet e afërta në muzikë me grupin e ri që ka krijuar, si dhe jep këndvështrimin e tij për artin në Shqipëri. Nuk mungojnë në këtë rrëfim as të fshehtat e jetës personale, që ai e ndan prej vitesh me këngëtaren Semi Jaupaj, dashurinë me të cilën e ka celebruar këtë pranverë me martesë. 
Si ka qenë kjo verë për ty? Ke pushuar? 
Kam pushuar, por nuk është se u kam dedikuar ndonjë pjesë shumë speciale pushimeve, pasi kam qenë i angazhuar me prova me grupin që kam krijuar. Kam ngritur një grup të ri që quhet ‘Bojken Lako Band’. Grupi përbëhet nga muzikantë të rinj e të talentuar që janë rreth moshës 20- 22 vjeç. Qëllimi është të realizojmë repertorin tim të këngëve dhe të jemi më prezentë në evente të ndryshme gjatë vitit, në mbrëmje ‘live’. Për këtë arsye kjo verë ka kaluar me prova dhe nuk u kam kushtuar rëndësi pushimeve. Kam bërë ca pushime të vogla gjatë fundjavave në Golem. Veç kësaj po punoj edhe për një këngë timen, me të cilën do të paraqitem në “Kënga Magjike” dhe për disa këngë të tjera me të cilat do të krijoj një album. Pra ka qenë një periudhë e angazhuar me muzikë. Të kanë munguar pushimet? Nuk më kanë munguar aq, pasi mendoj që njeriu mund të çlodhet duke pushuar edhe vetëm një javë. S’është e nevojshme të bëjmë tre muaj pushime, se do mërziteshim edhe nga kjo. Pastaj, duke qenë se kam plane dhe projekte në muzikë për periudhën e vjeshtës e të dimrit, e kam parë më të arsyeshme të jem në Tiranë e të punoj me grupin. 
Si e shikon Bojkeni muzikën shqiptare në ditët e sotme? 
Sot këtu në Shqipëri s’po marrim vesh ç’bëhet, as me muzikën shqiptare e as me atë të huaj. Nuk mund të jap një definicion për muzikën shqiptare, pasi jam vetë pjesë e saj. Mundohem që muzika ime, për aq pak sa kam bërë, të jetë në nivelin e kërkesave të mia. Pas dy pjesëmarrjeve në festivale që kam pasur vitin e kaluar, si në “Kënga Magjike”, ashtu edhe në “Festivalin e Këngës”, ka rezultuar që këngët kanë pasur një ‘feedback’ të mirë nga publiku. Muzika shqiptare është si një zinxhir që përbëhet nga disa hallka. Nga kontaktet që kam dhe me sa e shoh jetën artistike, di që ka të rinj dhe artistë që mendojnë seriozisht për muzikën, por që mbase nuk kanë shumë mundësi ku të shprehen. Domethënë, që të japësh një definicion për muzikën në një vend, duhen parë edhe mundësitë që u jepen artistëve për t’u shprehur. Skena ‘live’ në muzikën shqiptare është e limituar, sidomos nga ana ekonomike, pasi shumica e të ardhurave shkojnë në “talent showt” që realizohen në televizione. Mirëpo këto spektakle nuk janë panorama e vërtetë e muzikës shqiptare, por thjesht një panoramë e të talentuarve që duan të këndojnë. Muzika është koncept më i gjerë. Të bërit muzikë nis nga produksioni. Nuk bën muzikë ai që këndon. Të bësh një produksion, e para është e vështirë dhe e kushtueshme. E dyta, që ta shfaqësh produksionin përpara publikut është akoma dhe më e vështirë, sepse këtu nuk ka skenë të mirëfilltë, përveç festivaleve. Nuk është si në vendet e tjera të botës, ku ka organizime nga bashkitë apo nga ministritë. Këtu këto organizime bëhen vetëm në raste festash, siç ishte ajo e Pavarësisë që kishte 7 koncerte brenda ditës, ndërkohë që këto 7 koncerte mund të ishin shpërndarë në 7 muaj. Në panoramën e muzikës, ajo që shoh janë njerëz që me pak mundësi ekonomike bëjnë videoklipe apo dalin nëpër festivale. Por ka edhe shumë talente që duan të punojnë e mbeten të fshehur. Unë shoh aty ku bëj prova se ka grupe mjaft të talentuara, por që s’i njeh njeri. 
Dimë që së fundmi ke qenë pjesë e një aktiviteti në Kosovë. Na trego pak si të pritën atje? 
Ishte organizuar në formën e një panairi dhe quhej Festa e Verës dhe Birrës. Si organizim ishte mjaft i mirë dhe pjesëmarrja ishte me biletë. Çdo natë performonin tri grupe. Unë në fakt e kisha me shumë emocion koncertin, pasi dikur shkoja shpesh në Kosovë me grupin tim “Bojken Lako & The Fish”, ndërkohë që kisha rreth tri vite që nuk shkoja, i kushtëzuar pak edhe nga repertori, pasi nuk kisha krijime të reja, e s’kam dashur të këndoj sërish këngët e vjetra. Publiku më priti shumë mirë dhe ngrohtë, dhe organizimi ishte mjaft korrekt. 
Prej kohësh punon shumë me të rinjtë... Pse e do kaq shumë punën me ta? 
Është një kënaqësi e madhe kur tregon që vendi yt ka potencial për t’u zhvilluar në fushën e muzikës. Kjo është një rini që nuk ka premisa për të lëvruar në muzikë ose në art në nivelin e duhur. Kur kam punuar në media të ndryshme, në momentin që kam pasur hapësira për të promovuar brezin e ri, kam dashur që të lë një gjurmë për vendin tim, duke besuar gjithmonë se energjia vjen nga të rinjtë. Tani po punoj me një grup të rinjsh që kanë shumë dëshirë dhe energji për të bërë gjëra të bukura. Ata janë korrektë, megjithëse të bësh prova e të bësh muzikë do pak sakrificë, pasi është një proces jo shumë fitimprurës. Arnoldi, Kristi, Arlindi dhe Juxhini janë në moshë të re, por kanë një dëshirë të madhe për t’i bërë gjërat, edhe pse nuk kanë shumë përfitim nga kjo punë. 
Si e sheh prodhimin e muzikës ‘rock’ në Shqipëri? 
Duke parë sa shumë grupe dhe të rinj duan të punojnë, them se janë mundësitë për të lëvruar muzikën ‘rock’. Ka shumë që bëjnë muzikë eksperimentale, që është ‘rock’, por që nuk i bëhet promovimi i duhur. 
Po për çmimet që jepen nëpër festivale, çfarë mendon? 
Këtë herë që u vlerësova në “Kënga Magjike” me çmimin ‘Tendencë’, më pëlqeu që mora pikërisht atë çmim. Unë gjithmonë kam luftuar që ajo që bëj të ketë një lloj tendence për të ecur përpara me kohën dhe me muzikën që bëhet jashtë Shqipërisë. Ndaj motivacioni i çmimit më kënaqi. Normalisht që gjithkujt i pëlqen kur vlerësohet me çmim. Trofeu është diçka shumë e bukur, por nuk është kryesorja sa për të bërë ankesa në media, siç dëgjojmë rëndom. Unë festivalet i respektoj për punën profesionale që bëjnë, dikush më shumë e dikush më pak. Çmimet i kam parë si diçka ekstra. Nëse një festival bëhet me seriozitet, çdo artist përfiton për t’u promovuar dhe për të qenë më afër publikut. 
Je përfolur në media kohët e fundit për martesën tënde... 
Po, është e vërtetë. Që prej muajit maj jam lidhur në martesë me Semi Jaupajn. 
Si po shkon lidhja juaj? Jetoni bashkë? 
Po, jetojmë bashkë dhe marrëdhënia shkon mrekullisht mirë. 
Si është lidhja midis dy artistëve që jetojnë bashkë? Sa kritikë jeni ndaj njëri-tjetrit? 
Normalisht që kur një çift është pjesë e fushës së artit, në këtë rast të muzikës, është kënaqësi sepse nuk je kurrë vetëm. As unë s’jam vetëm, po as Semi nuk është kurrë vetëm. Plotësojmë njëritjetrin. Gjithmonë diskutojmë, dhe diskutimi për pjesën artistike na merr pjesën më të madhe të kohës. Përveç ndjenjës që dy njerëz kanë për njëri-tjetrin, lidhja plotësohet më shumë me këtë pjesë të bukur të përbashkët. 
Si është një ditë e Bojkenit? 
Stina e verës ishte disi më ndryshe... Tani që fillon tamam sezoni i punës, një pjesë të madhe të ditës e kaloj në studio. Megjithëse përditshmëria e punës sime në televizion nuk është e njëjtë. Ka ditë që ka më tepër punë, e të tjera që ka më pak. Tani është shtuar edhe puna me grupin, që është një pjesë pak e lodhshme, por shumë e bukur. Më mban energjia për të shtuar sa më shumë repertorin. Deri tani kemi 21 këngë dhe më pëlqen kur mendoj që do shkojnë në 23 apo 25 këngë... Jam gjithë kohës në lëvizje sa në një punë në një tjetër. Semi tani është më shumë e impenjuar me shkollën, sepse studion për grafik-desing në një cep tjetër të Tiranës. Koordinatat i kam në skaje, por me rëndësi është që dita nis me shumë energji, me energji të mirë. 
Cili është projekti yt më i afërt artistik? 
Është “Bunker Fest”, që do të mbahet në datën 14 tek fusha e teleferikut. Është një organizim mjaft i bukur. Do të performojnë katër grupe. Do të jem unë bashkë me grupin, ‘Zig Zag Orkestra’ me Dren Abazin, një grup i ri mjaft i mirë nga Kosova, dhe një tjetër nga Maqedonia. Pra jemi mbledhur të gjithë, Kosovë-Shqipëri-Maqedoni. Do të jetë një event mjaft i bukur dhe kam bindjen që ata që do të vijnë për të na parë do të kënaqen vërtet.
(m.a/summer pages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›