E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bojkot nga opozita, deputetët e PS vijojnë punën normalisht në komisionet parlamentare

Deputetët e Partisë Socialiste do të vijojnë të marrin pjesë rregullisht në komisionet parlamentare, pavarësisht bojkotit të njoftuar nga ana e opozitës, pas dënimit të deputetit Ervin Salianji.

Burime brenda mbledhjes së grupit parlamentar të PS bëjnë të ditur për A2 CNN se kreu i grupit, Niko Peleshi, i ka udhëzuar deputetët që pavarësisht aksionit të PD, puna e tyre duhet të vazhdojë si në komisione dhe në Parlament.

I vetmi komision në të cilin opozita mori pjesë është ai i integrimit europian, ku morën pjesë vetëm deputetët e PD, Jorida Tabaku dhe Edi Paloka, duke debatuar me socialistët.

“Duhet siguruar që prokuroria dhe institucionet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke ruajtur çështjet e korrupsionit pa ndikime politike. Nuk mund të kemi integrim kur mungon shteti ligjor dhe kur opozita goditet politikisht”, tha Tabaku.

Ndërkohë, përfaqësuesit e mazhorancës kritikuan sjelljen e opozitës. “Keni të drejtën tuaj për gjuhën dhe qëndrimin tuaj politik, por do t’ju lutesha që të paktën në këtë komision, kur mblidhemi për një proces që është i gjithë shqiptarëve, të bëjmë deklarata politike”, deklaroi Niko Peleshi.

Ndërsa Edi Paloka iu përgjigj: “Një vit para zgjedhjeve, të gjithë krerët e partive kryesore opozitare janë ose nën arrest ose në persekutim publik ose në çështje penale nga kjo drejtësia e reformuar”.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të komisionit, deputetët janë informuar se Shqipëria do të mbajë konferencën e dytë ndërqeveritare me 15 tetor dhe Tirana zyrtare është ndarë nga Maqedonia e Veriut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›