Bologna “djeg” Atalantën! Sot supersfida Milan-Roma, kupa është shpëtimi i sezonit për kuqezinjtë dhe kryeqytetasit

Bolonja u bë skuadra e parë që preu një biletë për në gjysmëfinalet e kupës së Italisë.
Emiljanet fituan në transfertë 1 me 0 kundër Atalantës, në një ndeshje ku realisht vuajtën shumë cilësinë dhe agresivitetin e skuadrës vendase.
Mirëpo ekipi i Gjimshitit nuk ishte i aftë të konkretizonte mundësitë që pati dhe u godit në fund nga goli deciziv i miqve shënuar nga Kastro.
Bergamasket e nisin mirë takimin e transmetuar në Tring dhe shkuan afër golit me De Ketelar.
Më pas disa tentativa nga distanca dhe në të 28 rasti tjetër i Ederson që këtë herë u bllokua nga mbrojtësi mik Ligojanis.
Në fund të pjesës së parë ishte radha e Hijen për t’iu afruar golit për Atalantën.
Edhe e dyta nisi mirë për të zotët e shtëpisë me një tjetër rast për Belanoven. Bolonja u bë e gjallë në gjysmën e pjesës së dytë me Fabian, përpara se Daniel Madlini të kishte ndoshta rastin më të pastër të ndeshjes për vendasit, por që nuk u shfrytëzua.
Bolonja nuk qëndroi duarkryq e pas një mundësie të Hoklm, ishte Kastro që falë shërbimit të Ligojanis, 10 minuta para fundit ia doli të shënojë golin e kualifikimit në gjysmëfinale, e para në fakt për Bolonjën pas 26 vitesh në kupën e Italisë.
Sot është radha e një supersfide në Tring në orën 21:00, dueli tjetër çerekfinale mes Milanit dhe Romës, dy ekipe të cilat për shkak të dështimit në kampionat e shohin kupën si mundësinë për të shpëtuar sezonin.
Kuqezinjtë bënë një minirevolucion në merkaton e dimrit, por nga blerjet e reja vetëm Uoller do të jetë titullar ndërsa Joao Felix, Bondo dhe sulmuesi Giomenez do ta nisin nga stoli. Roma e Ranierit pas barazimit me Napolin në Olimpiko kërkon surprizën e madhe në San Siro./Vizionplus.tv