Bombardimet në Gaza do të zgjasin, Sullivan thotë se lufta kundër Hamasit do të marrë muaj

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan tha këtë të premte se lufta në Rripin e bllokuar të Gazas do të zgjasë me muaj. Sullivan, i cili ndodhet prej dy ditësh në Tel Aviv tha se i kishte kërkuar udhëheqësve izraelitë që të ulnin intensitetin e bombardimeve për të shmangur viktimat në civilë.
“Ajo që dëgjova nga ministri i mbrojtjes izraelite, Gallant është se lufta kundër Hamasit do të zgjasë me muaj. Ne jemi dakord me këtë, pasi ky grup terrorist është i rrënjosur thellë në Gaza, dhe kjo luftë do të marrë kohë dhe do të ndodhë në faza. “Terroristët zgjodhën të futen në mesin e civilëve, por kjo nuk pakëson përgjegjësinë e Izraelit për të vepruar në atë mënyrë që bën dallimin midis objektivave terroristë dhe njerëzve të pafajshëm dhe për të marrë çdo masë paraprake për të mbrojtur civilët dhe për të minimizuar humbjet e jetëve”, tha ai në një konferencë për shtyp nga ambasada amerikane në Jerusalem.
Sullivan, tha se kishte diskutuar edhe për të ardhmen e pasluftës të Gaza. “Ne nuk besojmë se ka kuptim ose është e drejtë që Izraeli të pushtojë Gazën në një afat të gjatë… Ne besojmë se Autoriteti Palestinez duhet të rinovohet dhe rigjallërohet në aspektin e metodës dhe qeverisjes”, u shpreh ai para takimit me Presidentin e Autoritetit palestinez Mahmoud Abbas.
Ndërkohë sipsa gazetës “Times of Israel”, administrata izraelite në Uashtington ka shprehur shqetësime që zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë edhe presidentin Joe Biden, shprehin çështjen e zgjidhjes me dy shtete për konfliktin dhe kanë kërkuar nga SHBA-të që të mos flasin publikisht për këtë çështje.
Bombardimet e pandërprera izraelite kanë shkatërruar pjesën më të madhe të brezit të ngushtë bregdetar gjatë dy muajve të fundit. Numri i viktimave në Gaza ka arritur në thuajse 19,000, pjesa dërrmuese e tyre fëmijë.
Gazetar A. Mata
/RTSH/