Bombardimet nga ushtria ruse, qyteti ukrainas i Mariupol afër katastrofës humanitare

Qyteti kryesor port i Ukrainës, Mariupol, ishte “afër një katastrofe humanitare” të mërkurën pas më shumë se 15 orësh bombardime të vazhdueshme nga forcat ruse. Në një komunikim me BBC, nën kryetari i Bashkisë së qytetit tha se ushtria ruse po sulmon me të gjitha armët, në përpjekje për të shkatërruar qytetin.
“Ushtria ruse qëllon me të gjitha armët e saj këtu – artileri, sisteme të shumta lëshimi raketash, aeroplanë, raketa taktike. Ata po përpiqen të shkatërrojnë qytetin,” tha Serhiy Orlov.
Orlov shtoi se forcat ruse ishin disa kilometra larg qytetit dhe se nga të gjitha anët kishin nisur sulme në infrastrukturën kryesore, duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në disa pjesë të qytetit. Një lagje banimi me popullsi të dendur në bregun e majtë të qytetit ishte “pothuajse plotësisht e shkatërruar”, tha ai.
“Ne nuk mund të numërojmë sa viktima janë atje, por besojmë se të paktën qindra njerëz janë të vdekur. Nuk mund të hyjmë për t’i tërhequr trupat. Babai im jeton atje, nuk mund ta arrij, nuk e di nëse është gjallë apo i vdekur.”- tha ai.
Forcat ruse kishin shënjestruar sulme ndaj stacioneve të pompimit dhe transformatorëve elektrikë, teksa qyteti po përballet me mungesa ushqimore, duke rritur frikën për një krizë humanitare që po afrohet.
Mariupol është një objektiv kryesor strategjik për Rusinë, sepse kapja e tij do të lejonte forcat separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën Lindore që të bashkojnë forcat me trupat në Krime, gadishulli jugor i aneksuar nga Rusia në 2014. Ushtria e Ukrainës u ka rezistuar forcave ruse deri më tani në pjesë kyçe të vendit, por bombardimet e shtuara ajrore të qyteteve kanë ngritur frikën se Rusia po ndryshon taktikat.
“Ushtria ukrainase është shumë e guximshme dhe ata do të vazhdojnë të mbrojnë qytetin, por stili i ushtrisë ruse është si piratët – ata nuk luftojnë me ushtrinë e tyre, ata thjesht shkatërrojnë zona të tëra,” tha Orlov.
“Ne besojmë në ushtrinë tonë ukrainase, por jemi në një situatë të tmerrshme”,– përfundoi ai.