Bonus 2500 euro për policët, reagon Gazment Bardhi: Rama e Balluku me shpërblimet tyre mafioze mund të blejnë edhe pak kohë, por janë drejt fundit
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas premtimit të kryeministrit Edi Rama për një bonus prej 2,500 eurosh për efektivët e Policisë së Shtetit që qëndrojnë në vijën e parë të përballjes me protestat studentore, të cilat prej shtatë ditësh vijojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Në një reagim publik, Bardhi e ka cilësuar këtë premtim si një shpërblim mafioz për policinë, ndërsa ka akuzuar qeverinë se po përdor uniformat e shtetit për të mbrojtur pushtetin dhe për t’u përballur me të rinjtë që protestojnë kundër korrupsionit.
Bardhi akuzon kryeministrin Rama dhe Belinda Ballukun se po përpiqen të ruajnë pushtetin përmes forcës policore.
Reagimi i plotë:
RAMA DHE BALLUKU, NGA DHUNA E KARTONËVE TE DHUNA E UNIFORMAVE!
Dhuna e kartonëve, me të cilën Edi Rama mbrojti Belinda Ballukun nga arrestimi, sot është shndërruar në dhunë mizore ndaj të rinjve që e refuzojnë korrupsionin e qeverisë.
Policia e Shtetit nuk është garda personale e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Ajo paguhet nga taksat e shqiptarëve për të mbrojtur ligjin dhe qytetarët, jo për të mbrojtur pushtetarët e korruptuar nga zemërimi i njerëzve.
Të kthesh uniformën e shtetit në mburojë të korrupsionit është tradhti ndaj atdheut! Policia duhet t’i shërbejë Republikës, jo pushtetit.
Ndërsa Edi Rama dhe Belinda Balluku bëjnë mirë të kuptojnë se me shpërblimet e tyre mafioze mund të blejnë edhe pak kohë, por ata e dinë se koha e tyre ka mbaruar dhe pushteti i tyre tani mbahet vetëm me shkopinj policie.