E Hënë, 2 Nëntor 2026

Borgen dhe Groenlanda: Kur seriali parashikon ‘lojën’ e superfuqive

Corriere Della Sera i ka kushtuar një artikull serialit danez Borgen dhe “parashikimeve” të tij për Groenlandën, që ne e kemi përshtatur në shqip, si më poshtë…

Më 14 janar, ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës u takuan në Washington me nënkryetarin amerikan JD Vance, por samiti nuk arriti të ulë tensionin që po rritet për ishullin polar.

Sezoni i fundit i Borgen, seriali danez më i njohur dhe një nga më të vlerësuarit në fushën e dramave politike, fokusohet pikërisht te Groenlanda. Zbulimi i një depozite të madhe nafte ndez interesin e SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës, duke lënë Danimarkën e vogël të “ngujuar” mes superfuqive.

Seriali u publikua në vitin 2022, tre vjet para se presidenti i ri amerikan Donald Trump të deklaronte hapur interesin për ishullin.

“Nëse do të kisha propozuar këtë skenar, shumica e njerëzve do të kishin thënë, si 5 apo 10 vjet më parë, se isha jashtë realitetit dhe kisha humbur kontaktin me të vërtetën”, thotë Adam Price, krijuesi i Borgen, në një intervistë për Reuters.

Edhe Price, që kishte parashikuar se Groenlanda do të bëhej pjesë e skemës globale, nuk e kishte imagjinuar që presidenti amerikan nuk do të përjashtonte përdorimin e fuqisë ushtarake ose ekonomike për të marrë kontrollin e ishullit.

“Kur realiteti bëhet absurd, siç ka ndodhur kohët e fundit me situatën e Groenlandës dhe pretendimet e Trump, çfarë duhet të shkruajmë?”, pyet ai, duke treguar vështirësitë për dikë që sot shkruan një dramë politike.

Price shpreh shqetësim se ajo që më parë konsiderohej ekstreme apo e çuditshme në politikë nën udhëheqjen e Trump mund të bëhet normale.

Price sugjeron se, në një sezon të ri të Borgen, do të ishte interesante të përqendrohej tek Bashkimi Evropian, duke e bërë politikën europiane më tërheqëse për publikun:

“Politika shpesh duket e ftohtë dhe pa emocione, ndaj duhet të gjesh tema që janë vërtet eksplozive.”

Të tre sezonet e para të Borgen janë të disponueshme në Netflix.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›