Borisov kryeson zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Partia konservatore GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov kryeson zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan dje, sipas parashikimeve paraprake.
Tre parashikimet e bazuara në rezultatet e votimit e vendosin GERB midis 22,1 dhe 23,5 për qind.
Kjo do të thotë se GERB është përpara partisë populiste të artistit Slavi Trifonov (ITN), e cila pritet të marrë 21,5 deri 22,3 për qind.
Sipas parashikimeve, asnjëra palë nuk do të ishte afër shumicës parlamentare.
Ekspertët kanë thënë se numërimi i votave jashtë shtetit mund të rezultojë thelbësor, pasi diferenca duket të jetë e vogël.
Sipas parashikimeve, socialistët kanë marrë nga 13,5 në 15,1 për qind të votave.
Bullgarët zgjodhën një parlament të ri për herë të dytë në pak më shumë se 100 ditë, pasi asnjë qeveri e qëndrueshme nuk doli nga zgjedhjet e muajit prill.
GERB kishte fituar zgjedhjet e rregullta parlamentare të 4 prillit me 26 për qind, por nuk arriti të gjente partnerë koalicioni.
Partia ITN mori 17,6 për qind, por nuk dëshironte të formonte një qeveri të pakicës./ATSH