Borussia Dortmund planifikon një revolucion në verë

Borussia Dortmund, ashtu si rivali i përjetshëm Bayerni i Mynihut, po kalon një periudhë shumë të komplikuar. Verdhezinjtë humbën fundjavën e kaluar në shtëpi ndaj Hoffenheimit (2-3), duke humbur kështu mundësinë për të konsoliduar vendin e katërt në renditje.
Një sezon i karakterizuar nga shumë rezultate të luhatshme: rruga në Champions ishte sigurisht më pozitive (fitoi “grupin e vdekjes”, ku bënin pjesë PSG, Milan dhe Newcastle) dhe ka një mundësi reale për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Champions League pas barazimit 1-1 të arritur në ndeshjen e parë ndaj PSV Eindhoven. Në Dortmund, megjithatë, tashmë po shohin të ardhmen dhe lamtumirën e mundshme të disa lojtarëve të shquar, mbi të gjitha Donyell Malen: 25-vjeçari holandez ka shënuar gjashtë gola në gjashtë ndeshjet e fundit, duke u bërë kështu golashënuesi më i mirë i skuadrës së Terzicit në Bundesligë (10 gola).
Siç raportojnë mediat gjermane, BVB duhet të mbledhë para dhe mund të shesë yllin e saj për një shumë prej 40 deri në 50 milionë euro. Shumë po parashikojnë fillimin e një epoke të re për klubin, duke qenë se ka disa lojtarë të cilëve u skadon kontrata: nga Mats Hummels (35 vjeç) te Marius Wolf (28 vjeç), deri te Mateu Morey (23 vjeç), Antonios Papadopoulos (24 vjeç) dhe mbi të gjitha kapiteni Marco Reus (34 vjeç). Për momentin, asnjë ofertë rinovimi nuk është bërë dhe gjithçka sugjeron që të paktën disa nga lojtarët e përmendur më lart nuk do të qëndrojnë në sezonin 2024/25.