E Martë, 3 Nëntor 2026

Boshnjakët e Sarajevës kujtojnë 6 Prillin, çlirimin nga fashistët dhe rrethimin nga jugosllavët

Më shumë se 11.500 palë këpucë të vendosura me kujdes nëpër rrugët e Sarajevës kujtuan këto ditë banorët, simbolikisht, për viktimat e luftërave në Bosnjë.

Instalacioni “Rruga e Kujtesës” u shtri për gati 1 kilometër me veshje të burrave, grave e fëmijëve të vrarë gjatë fillimviteve ’90 në kryeqytetin boshnjak.

6 Prilli është Dita e Qytetit për sarajevasit, pasi në atë datë në vitin 1941, Sarajeva u bombardua për herë të parë dhe në të njëjtën ditë më 1945, njësitë partizane jugosllave e çliruan nga pushtuesit fashistë. Më 6 prill 1992 qyteti u rrethua nga forcat serbo-boshnjake.

Operacioni ushtarak filloi më 5 prill 1992 dhe përfundoi më 29 shkurt 1996, duke zgjatur tre vite e 10 muaj e tre javë e tre ditë. Gjatë asaj periudhe, 350 mijë banorët e Sarajevës përjetuan sulme të përditshme nga ushtria serbo-boshnjake dhe u izoluan për sa i përket energjisë, ujit, ushqimeve, ilaçeve dhe kontakteve me botën e jashtme. Ndihmat humanitare siguroheshin me kufizime nga Kombet e Bashkuara.

Rreth 11.500 persona u vranë dhe 50.000 u plagosën nga forcat serbo-boshnjake, sipas shifrave zyrtare.

Ceremonitë përkujtimore nisën me vendosjen e kurorave me lule në Flakën e Përjetshme, një monument për viktimat e fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mes të pranishmëve ishin anëtarët e Presidencës së Bosnjës-Hercegovinës Zheljko Komshiq (o. Željko Komšić) dhe Denis Beqiroviq (o. Bećirović), si edhe kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq (o. Karić).

“Kjo është një ditë e madhe jo vetëm për Sarajevën, por edhe për tërë Bosnjën-Hercegovinën. Jemi krenarë për kryeqytetin dhe atdheun tonë. Më 6 prill 1945, Sarajeva u çlirua nga okupatori fashist. Sarajeva është një qytet që nga viti 1992 deri në 1995, gjatë agresionit brutal kundër Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, i mbijetoi rrethimit më të gjatë në historinë moderne njerëzore, por mbijetoi,” u shpreh z. Beqiroviq pas vendosjes së kurorës me lule. /Euronews, ST

/rtsh.al

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›