E Martë, 3 Nëntor 2026

Bosnjë-Hercegovinë/ Presidenti i Republikës Sërpska refuzon deklarimin për akuzat

Udhëheqësi serb i Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, refuzoi të hënën të deklarohej para gjykatës për akuzat se nuk ka respektuar vendimet e të dërguarit ndërkombëtar që mbikëqyr marrëveshjet e paqes në vend.

Dodiku u padit muajin e kaluar, pasi në korrik miratoi ligje që do ta lejonin njësinë serbe të Bosnjës të anashkalojë ose injorojë vendimet e marra nga diplomati i lartë gjerman, Kristian Shmid (o. Christian Schmidt).

I dërguari ndërkombëtar gëzon fuqi të mëdha dhe mundet të shkarkojë zyrtarët e zgjedhur apo të përcaktojë ligjet.

“Unë nuk e kuptova se ku bazohet kjo akuzë. Kjo gjykatë është antikushtetuese dhe e paligjshme. Ky është një proces thjesht politik, duke mos pasur asnjë bazë ligjore,” u tha presidenti Dodik gazetarëve pas seancës dëgjimore, duke shtuar se qëllimi është t’i dilet kundër njësisë serbo-boshnjake dhe Republikës Sërpska.

Dodiku nuk ka pranuar të njohë autoritetin e Shmidit, e ka quajtur “i huaj i paautorizuar”, pasi ai humbi mbështetjen e Kombeve të Bashkuara me ndërhyrjen e Rusisë dhe Kinës.

Nëse dënohet, dënimi ndaj Dodikut parashikon gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.

Presidenti i Republikës Sërpska ka lënë të kuptohet se ai nuk do të respektojë vendimin e gjykatës edhe po të dënohet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›