Bosnjë, tre milionë votues, për 149 njësi bashkiake
Tre të katërtat e fushatës ishin për çështje kombëtare, mbi të cilat, politikanët vendorë nuk kanë peshë
Boshnjakët po votojnë në zgjedhje lokale, që janë dominuar nga çështje kombëtare, që pritet të forcojnë më shumë ndarjet midis myslimanëve, serbëve dhe kroatëve. Rreth 3 milionë vetë kanë të drejtë vote, një rritje prej 10% ,krahasuar me zgjedhjet e fundit dy vjet më parë, por analistët parashikojnë një pjesëmarrje të ulët. Në letër, boshnjakëve u kërkohet që thjesht të mbushin vendet bosh në 149 njësi bashkiake. Por, vëzhguesit thonë se tre të katërtat e fushatës ishin për çështje kombëtare, mbi të cilat politikanët vendorë nuk kanë peshë. Serbët janë të shqetësuar se po humbin autonominë e tyre, veçanërisht qëkur politikani mysliman i luftës, Haris Silajxhiç, mori postin që i takon myslimanëve në presidencën tre- palëshe në 2006. Partitë kroate e ndiejnë veten si të lëna mënjanë në federatën e tyre me myslimanët. Ata ankohen se nuk kanë një stacion tv në gjuhën e tyre. Për herë të parë, në zgjedhjet lokale, komisioni zgjedhor ka censuruar një kandidat për fjalimin e tij plot urrejtje. Komisioni nuk ka përmendur emrin, por njoftimet thonë se ai është udhëheqës i partisë serbe, që ka në pronësi një televizion lokal. Në Qershor, Bosnje-Hercegovina nënshkroi një marrëveshje paraprake me BE-në, që eventualisht, mund të çojë në anëtarësi. Por Douglas Davidson, ambasadori në largim i OSBE në Bosnjë, paralajmëron se nuk mund të priten ndryshime dramatike politike. Ai thotë se në mendjen e votuesve është se kujt nacionaliteti i përkasin.