E Diel, 1 Nëntor 2026

Bota në tri kriza të njëkohshme

Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve kanë dalë në krye të rendit të ditës në takimin e udhëheqësve të tetë vendeve më të industrializuara në Toyako, në ishullin japonez Hokaido. Takimi treditor i këtij fillim korriku ka nisur nën masa shumë të larta sigurie. (Qeveria japoneze kishte dislokuar rreth 20 mijë forca policore, duke e izoluar thuajse tërësisht qytetin e vogël Tojako).

Qeveria japoneze fillimisht kishte shpresuar që bisedimet do të përqendroheshin në ndryshimin e klimës, por duket se shqetësimet globale lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve, dominuan.

U bë që në fillim e qartë, se bota po përballet me tri kriza të njëkohshme - një krizë ushqimore, një krizë të klimës dhe një krizë të zhvillimit. Të tria krizat janë të ndërlidhura shumë me njëra-tjetrën dhe duhen trajtuar si të tilla.

Jo të gjitha vendet e G8-ës i kanë mbajtur premtimet ambicioze që bënë tre vjet më parë në Samitin e tyre në Gleneagles të Skocisë. Atëkohë G8-ta u angazhua për një dyfishim të ndihmës për Afrikën, anulim të borxhit për vendet më të varfra, për të vendosur një datë për t'i dhënë fund subvencioneve tregtare, për një forcë paqeruajtëse dhe paqezbatuese, veprime specifike për HIV/AIDS, Malarian, Polio, TBC-në.

Këto premtime nuk janë mbajtur. Megjithëse ka pasur përparim të konsiderueshëm në anulimin e borxhit të vendeve afrikane, përparimi për ndihmën ka mbetur mbrapa.

Sipas aktivistëve të ndihmës, G8-ta e ka rritur ndihmën për Afrikën, me vetëm një çerekun e 25 miliardë dollarëve të premtuara. Ç'është edhe më e keqja, sipas një projekt-komunikate që i është dekonspiruar shtypit, udhëheqësit e G8-ës planifikojnë të angazhohen në Japoni që të plotësojnë angazhimet e bëra në Gleneagles, por nuk përmendin objektivin vjetor prej 25 miliardë dollarësh deri në vitin 2010.

Dhe ashtu siç thotë Sue Mbaya, e Organizatës Bamirëse për Fëmijët “Ëorld Vision”, “shumë gra, fëmijë dhe burra në Afrikë vazhdojnë të jetojnë nën nivelet standarde të ekzistencës dhe vazhdojnë të vdesin sepse këto premtime nuk janë mbajtur".

Çdo vit, vazhdohet t’u thuhet udhëheqësve të G8-ës se duhet të mbahen premtimet. Duket si një disk i prishur.

Dhe të shqetësuar nuk janë vetëm organizatat bamirëse. Duke folur gjatë Samitit, Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, thotë se edhe ai është i shqetësuar që udhëheqësit e G8-ës nuk kanë përmbushur angazhimet që bënë në Gleneagle, dhe ka frikë se rritja e çmimeve të ushqimit dhe karburanteve mund ta bëjnë edhe më të vështirë tani plotësimin e këtyre premtimeve.

Vitin e shkuar u pa një ulje prej 8 për qind të angazhimeve dhe kjo nuk është mirë. Për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike, qeveri të ndryshme të botës së zhvilluar janë bërë më mbrojtëse.

Drejtues të BE-së dëshirojnë që unioni të konvertojë paratë e veta të papërdorura në një fond prej 1,6 miliard dollarësh, për të ndihmuar fermerët afrikanë. Ato mund të përdoren për gjëra të domosdoshme, si farëra dhe plehra kimike, si dhe krijimin e një rrjeti sigurie për më të prekurit.

Udhëheqësit e G8-ës - që përfshin SHBA-në, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Kanadanë, Japoninë, dhe Rusinë - diskutuan mes tyre (dhe me udhëheqës të tjerë të 15 vendeve të botës të ftuar në takim) edhe lidhur me zvogëlimin e emetimeve të dioksidit të karbonit që krijojnë efektin serë.

Ka shumë mendime lidhur me objektivat që duhen vendosur, por gati të gjithë janë të një mendjeje se Konventa e OKB-së për Klimën, duhet të mbetet organi sovran për ndonjë marrëveshje në të ardhmen. Kjo marrëveshje shpresohet të arrihet deri në vitin 2009, që të mund të hyjë në fuqi pas skadimit të afatit të Traktatit të Kiotos.

*Botuar edhe në sajtin online të radios së njohur britanike. Botohet me shkurtime. Titulli është i redaksisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›