E Martë, 3 Nëntor 2026

Bota reagon ndaj sulmit të Iranit kundër Izraelit: Ndaluni! Përshkallëzim serioz i situatës

Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar me alarm pasi Irani lëshoi ​​dronët dhe gjuajti raketa në Izrael në sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë në territorin izraelit.

Udhëheqësit botërorë shprehin frikën se konflikti mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm në rajon, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje.

Bashkimi Evropian e konsideroi sulmin cenim të sigurisë rajonal, ndërsa dënuan Iranin se po shkakton destabilizim dhe se kjo duhet të ndalet.

“BE dënon fuqishëm sulmin e papranueshëm iranian kundër Izraelit. Ky është një përshkallëzim i paprecedentë dhe një kërcënim i rëndë për sigurinë rajonale” tha kryediplomati i BE-së Josep Borrell në një postim në X.

Edhe ministrja e Jashtme franceze Stephane Sejourne tha se Irani po ndërmerr një “hap të ri në veprimet e tij destabilizuese dhe duke marrë rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak”.

 “Ne dënojmë fuqishëm sulmin e vazhdueshëm, i cili mund të zhysë një rajon të tërë në kaos. Irani dhe përfaqësuesit e tij duhet ta ndalojnë këtë menjëherë. Izraeli ka solidaritetin tonë të plotë në këtë kohë”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Kryeministri britanik Rishi Sunak i përshkroi veprimet e Iranit si “të pamatur”.

“Irani ka treguar edhe një herë se synon të mbjellë kaos në oborrin e tij të shtëpisë. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe atë të të gjithë partnerëve tanë rajonalë, përfshirë Jordaninë dhe Irakun”, tha ai në një deklaratë të postuar në X.

Presidenti Joe Biden dënoi sulmet iraniane dhe premtoi një përgjigje të koordinuar diplomatike të G7. Ai tha se SHBA-të e kishin ndihmuar Izraelin të rrëzonte “pothuajse të gjithë” dronët dhe raketat sulmuese. Biden  përsëriti mbështetjen “e hekurt” të SHBA për sigurinë e Izraelit

“I thashë Netanjahut se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për të mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë – duke u dërguar një mesazh të qartë armiqve të tij se ata nuk mund të kërcënojnë efektivisht sigurinë e Izraelit”, tha ai në deklaratë.

Edhe Rusia u shpreh e shqetësuar nga sulmet iraniane ndaj Izraelit dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje.

“Ne shprehim shqetësimin tonë ekstrem për një tjetër përshkallëzim të rrezikshëm në rajon. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje. Ne kemi paralajmëruar vazhdimisht se krizat e shumta të pazgjidhura në Lindjen e Mesme, kryesisht në zonën e konfliktit palestinezo-izraelit, të cilat shpesh nxiten nga veprime provokuese të papërgjegjshme, do të çojnë në një rritje të tensionit,” tha Ministria e Jashtme e Rusisë

Pjesë e reagimit për vetëpërmbajtje erdhën edhe nga Kanadaja, Kina, Argjentina, Brazili, Kolumbia, Egjipti, Jordania, Katari, OKB, Vatikani etj.

Teherani kishte kërcënuar se do të sulmonte Izraelin pas sulmit ajror më 1 prill, për të cilin fajësohej gjerësisht Izraeli dhe shkatërroi konsullatën e Iranit në Siri, duke vrarë 13 persona, duke përfshirë dy gjeneralë elitë iranianë.

Forcat izraelite thanë në një deklaratë herët të dielën se “shumica dërrmuese” e raketave të lëshuara nga Irani u kapën jashtë kufijve të Izraelit. Tensionet midis Izraelit dhe Iranit janë rritur që nga lufta gjashtëmujore e Izraelit në Rripin e Gazës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›