E Hënë, 2 Nëntor 2026

Botërori, Irani kërcënon me bojkot

Irani ka paralajmëruar se mund të mos marrë pjesë në finalet e Kupës së Botës verën e ardhshme, si pasojë e sulmeve ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga vendet organizatore, dhe Izraeli. Deklarata është bërë nga presidenti i federatës, por ende nuk është vendim përfundimtar.

Irani mund të mos marrë pjesë në finalet e Kupës së Botës që do të zhvillohen në qershor e korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Deklarata e fortë, por që nuk është një vendim përfundimtar, është bërë nga presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Tazh, pas sulmeve ajrore të kryera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.

Pjesëmarrja e Iranit në botëror është vënë në pikëpyetje edhe më herët pas vendimit të presidentit Donald Trump që ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara të shtetasve të 39 vendeve, midis tyre edhe Irani. Federata Iraniane bojkotoi hedhjen e shortit të finaleve në dhjetorin e kaluar në Ëashington, pas mohimit të vizës për disa zyrtarë të saj, përfshirë edhe presidentin e federatës, Tazh.

Shorti e vendosi Iranin në Grupin G, kundër Belgjikës, Egjiptit dhe Zelandës së Re, me tri ndeshje të programuara për t’u laujtur në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas rregullave të FIFA-s, nëse Irani tërhiqet nga turneu, mund të zëvendësohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe ose Iraku. Emiratet janë skuadra e pakualifikuar me rangun më të lartë, ndërsa Iraku do të luajë në fund të marsit kundër Bolivisë ose Surinamit.

Nëse Iraku zëvendëson Iranin, atëherë Emiratet zëvendësojnë Irakun në playoffin ndërkontinental. Për momentin gjithçka është hipotezë, pasi ende nuk ka një vendim zyrtar nga Irani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›