E Diel, 1 Nëntor 2026

Botërori, Spanjamposht 2-0 Hondurasinme golat e Vijës

JOHANESBURG- Spanja ka marrë fitoren e parë në këtë Kupë Bote, duke mposhtur 2-0 Hondurasin në takimin grupit H. Iberikët janë rikthyer në betejën për kualifikim, pasi tashmë u mjafton të mundin Kilin në ndeshjen e fundit për të avancuar më tej. Edhe njëherë Spanja krijoi raste të panumërta duke krijuar idenë e një skuadre të frikshme, megjithatë ajo vazhdon të jetë shumë pak konkrete përpara portës. David Vija ishte heroi i kampionëve të Evropës me dy gola mjaft të bukur, por humbi edhe një penallti që do ta bënte më të sigurt vendin e parë në grup. Për Spanjën është shumë e rëndësishme që përveç kualifikimit, të sigurojë edhe kreun e grupit H, ç’ka do të evitonte një përplasje të mundshme me Brazilin në të tetat e finales. Për këtë do t’i mjaftojë një fitore me Kilin dhe të shpresojë që Zvicra nuk do të fitojë me dy gola diferencën ndaj Hondurasit, një opsion që nuk është aq i lehtë. Megjithatë, fitorja 2-0 përballë Hondurasit ka qenë tepër e rëndësishme për ekipin e drejtuar nga Del Boske, që tashmë e sheh veten plotësisht në valle për kualifikim.

Përsa i përket takimit, ai nisi me një Spanjë agresive dhe pas vetëm 5 minutash, ata pretenduan për një penallti, që arbitri japonez Nishimura nuk e dha. Megjithatë, Spanjës i mjaftuan 17 minuta për të gjetur golin e avantazhit. David Vija shmangu tre futbollistë njëri pas tjetrit dhe me një goditje mjaft të bukur mposhti portierin honduren. Goli i çliroi spanjollët, që krijuan raste të shumta, por Fernando Torres ka shpërdoruar gjithçka përpara portës.. Ndërkohë, pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për Spanjën. Pas vetëm 5 minutash, David Vija goditi nga jashtë zonës dhe shënoi. Një gol tepër i rëndësishëm për sulmuesin e ri të Barcelonës, që konfirmohet lideri i repartit ofensiv. Minuta e 62-të sjell një penallti për Spanjën, por David Vija godet jashtë, megjithëse portieri ishte hedhur në krahun e kundërt. Deri në fund, rastet për ekipin e Del Boskes kanë qenë të panumërta, por goli i tretë nuk ka ardhur. Gjithsesi, rezultati i djeshëm e rendit Spanjën të dytën në grup, përpara Zvicrës. Në ndeshjen e fundit, më 25 qershor, iberikët do të ndeshen me Kilin, ndërsa helvetikët me Hondurasin.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›