E Diel, 1 Nëntor 2026

Braho jep përgjigje për një sërë çështjesh: Në verifikim kallëzimi ndaj Shehajt. Pritet ekspertiza nga SHBA për 21 Janarin

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka komentuar ecurinë e disa prej çështjeve që po hetohen nga institucioni, gjatë një takimi informal me gazetarët.

I pyetur për kallëzimin penal ndaj kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, Braho konfirmoi se çështja ndodhet në fazën e verifikimit.

“Ka një kallëzim penal, është në proces verifikimi dhe do të dalim me një vendim“, tha ai. Burime për gazetaren Lusi Përgjegji bëjnë me dije se kallëzimi ndaj Shehajt është bërë nga Kuvendi, pasi deputeti mori dokumentin sekret të marrëveshjes me SHBA nga ky institucion dhe u largua me vrap në një ambient tjetër po të institucionit.

Sa i takon hetimeve për ngjarjet e 21 Janarit, kreu i SPAK bëri të ditur se ende nuk ka mbërritur ekspertiza e pritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk ka ardhur ende ekspertiza nga SHBA“, u shpreh Braho.

Lidhur me hetimet për çështjen e pronave në Zvërnec, ai tha se objekti i hetimit nuk kufizohet vetëm në një aspekt, por përfshin edhe dyshimet për tjetërsimin e pronave dhe falsifikimin e dokumenteve.

“Kemi objekt të hetimeve edhe tjetërsimin e pronave apo falsifikimin“, deklaroi kreu i SPAK.

Ndërsa për dosjen “McGonigal”, Braho refuzoi të japë detaje, duke theksuar se hetimet janë ende në zhvillim.

“Është çështje në hetim, nuk mund të japim më shumë informacion“, tha ai.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Braho u ndal edhe te pritshmëritë e publikut ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke nënvizuar se veprimtaria e institucionit udhëhiqet vetëm nga ligji.

“Unë i kuptoj pritshmëritë e publikut, por SPAK punon vetëm mbi bazën e ligjit“, theksoi kreu i Prokurorisë së Posaçme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›