Brazili, Casemiro: Le të shijojmë ardhjen e Ancelottit

Mesfushori brazilian Casemiro foli për ESPN për emocionin e tij për emërimin e Carlo Ancelottit si trajner i ri i kombëtares braziliane: “Pas largimit të Tite, mendoj se ai ishte zgjedhja më e natyrshme. Brazili kishte nevojë për një profesionist të kalibrit të tij, një emër i shquar që kërkon respekt”.
“Është e jashtëzakonshme, e pabesueshme mënyra se si ai flet për futbollin, thellësia me të cilën e kupton lojën. Le ta shijojmë këtë moment, sepse pavarësisht fitoreve apo humbjeve, kur flet për futbollin, ai kullon karizëm dhe ka aftësinë t’i shtyjë lojtarët të japin më të mirën, të nxjerrin në pah cilësitë e tyre më të mira”, tha Casemiro me admirim.
Megjithatë, mesfushori i Manchester United shprehu edhe keqardhjeje për kohëzgjatjen e kontratës: “Jam i lumtur që një trajner i nivelit të tij po drejton kombëtaren braziliane, por jam pak i zhgënjyer që është vetëm për një periudhë të shkurtër. E njoh personalisht, shumë mirë dhe një vit… nuk mjafton. Do të kishim nevojë për më shumë kohë, për mendimin tim, duke pasur parasysh rrethanat”.
Casemiro më pas foli për mundësinë e rikthimit të tij në kombëtare nën drejtimin e Ancelottit: “Të flasësh për rikthimin tim në kombëtare është e vështirë. Duket e pashmangshme, veçanërisht me një trajner kaq madhështor, padyshim që jeni më afër fitores. Sigurisht, dua të ritheksoj se nuk ka asnjë garanci që Brazili do të fitojë tani”.
“Por kur një trajner i këtij niveli merr përsipër kombëtaren, sigurisht që dëshira për t’u rikthyer rritet”. Fjalët e mesfushorit sugjerojnë një dëshirë të fortë për të veshur sërish fanellën e Brazilit nën drejtimin e një trajneri me të cilin ka fituar tashmë shumë në të kaluarën.