E Diel, 1 Nëntor 2026

Brazili përmbys Japoninë dhe siguron biletën për në 1/8-at e Kupës së Botës

HJUSTON, 30 qershor, ATSH/ Brazili shmangu një eliminim të bujshëm dhe siguroi kualifikimin në 1/8-at e finales së Kupës së Botës 2026, pasi përmbysi Japoninë me rezultatin 2-1 në një ndeshje dramatike të luajtur në Hjuston.

Japonia kaloi në avantazh në minutën e 29-të me Kaishu Sano, duke befasuar pesë herë kampionët e botës dhe duke mbyllur pjesën e parë në epërsi. Ekipi aziatik u mbrojt me disiplinë dhe vuri në vështirësi brazilianët me kundërsulme të rrezikshme.

Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti reagoi. Casemiro barazoi shifrat në minutën e 56-të me një goditje me kokë, ndërsa kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Gabriel Martinelli realizoi golin e fitores në minutën e 95-të, duke vulosur përmbysjen spektakolare të “Seleçaos”.

Me këtë fitore, Brazili avancon në 1/8-at e finales, ku do të përballet me fituesin e çiftit Norvegji–Bregu i Fildishtë. Ndërkohë, Japonia largohet nga turneu pas një paraqitjeje dinjitoze që për pak i dhuroi një nga surprizat më të mëdha të Botërorit. 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›