Bregdeti i Lezhës tërhoqi më shumë vizitorë, gushti shënon rritje 20%

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Bregdeti i Lezhës ka tërhequr më shumë pushues gjatë sezonit veror 2026, me një rritje prej 14% të frekuentimit në plazhet e Shëngjinit dhe Tales krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të Bashkisë Lezhë, gushti ishte muaji më i frekuentuar i sezonit, me një rritje rreth 20% të numrit të pushuesve krahasuar me gushtin e vitit 2025.
“Muaji gusht ishte muaji më i mirë i të gjitha viteve. Vlerësohet nga operatorët turistikë një muaj që ka pasur një rritje rreth 20% krahasuar me vitin 2025”, deklaroi drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanaj.
Sipas bashkisë, shqiptarët nga Kosova vijojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të pushuesve, me 65% të totalit, ndërsa turistët e huaj përbëjnë rreth 20%.
Në rritjen e numrit të turistëve të huaj ka ndikuar edhe promovimi i destinacionit në tregjet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me agjencitë turistike.
“Po shikojmë që ka edhe rritje të numrit të turistëve të huaj, ku kryesojnë gjermanët, polakët, çekët edhe italianët”, u shpreh Xhanaj.
Ai theksoi se promovimi i Shëngjinit dhe i destinacioneve të tjera të Lezhës, së bashku me përmirësimin e shërbimeve dhe çmimet konkurruese, kanë ndikuar në rritjen e interesit të vizitorëve.
“Shëngjini po promovohet shumë, po edhe krejt Lezha me të gjitha atraksionet e saj. Kjo vjen edhe nga rritja e shërbimit për turizëm që po afrojnë operatorët turistikë”, tha Xhanaj.
Shëngjini dhe Talja kanë vijuar të zhvillojnë kapacitetet turistike dhe akomoduese, duke zgjeruar mundësitë për pritjen e vizitorëve dhe duke e konsoliduar bregdetin e Lezhës si një prej destinacioneve të rëndësishme të turizmit veror në vend.
/e.xh/a.f/