Bregu: Rama nuk reflektoi, bëri një lëvizje duke shpikur “Besën”

Pedagogu Zylyftar Bregu, i ftuar në studion e emisionit “3D nga Alban Dudushi” në RTSH, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar qasjen e tij si një manovër politike dhe jo si reflektim.
Sipas Bregut, Rama nuk pranoi të analizojë gabimet e qeverisjes, por zëvendësoi një koncept politik si “kontrata sociale” me termin “besë”, të cilin e konsideroi një zgjedhje retorike.
“Ajo që bëri sot ishte thjesht një teknikalitet politik, një retorikë politike. Ai i paraqet këto çështje si parulla, njësoj si me studentët. Kur do të flasim për këtë? Sot ai zëvendësoi një tog fjalësh, të krijuar nga shkenca dhe të përvetësuar nga politika që nga lindja e shtetit, siç është koncepti i kontratës sociale, me një koncept si “besa”. Pse them që nuk ka reflektuar? Sepse, në fillim, m’u duk sikur pati një moment reflektimi, por menjëherë bëri një kthesë dhe tha: “Shiko, ne kemi faktet, ata kanë perceptimin.” Pra, sipas tij, ata janë në gabim, sepse nuk i shohin faktet”, u shpreh Bregu.
Pedagogu tha se fillimisht iu duk se kryeministri kishte shfaqur një moment reflektimi, por më pas, sipas tij, Rama u rikthye te argumenti se qeveria ka faktet në anën e saj, ndërsa kundërshtarët kanë vetëm perceptime.
Bregu u ndal edhe te marrëdhënia e qeverisë me median, duke thënë se një nga sfidat e kësaj proteste ka qenë fakti që media sociale nuk mund të kontrollohet në të njëjtën mënyrë si media tradicionale.
“Një kryeministër duhet të thotë se çfarë ka bërë gabim, jo të thotë: “Ne i kemi bërë gjërat mirë, por përkthimi i veprimeve tona nuk është bërë aq mirë dhe ata kanë një perceptim të gabuar.” Dhe këtu mund të kishte pak reflektim në lidhje me raportin që ai ka pasur edhe me median tradicionale, e të tjera. Një nga zhgënjimet e tij në këtë protestë është fakti që media sociale i doli jashtë kontrollit, sepse, nëse do të ishte fjala për median tradicionale, ai e ka nën kontroll. E para. E dyta, po i kthehem pyetjes suaj: nuk jemi më te çështja e emrave. Për 13 vjet, Partia Socialiste e ka ndryshuar, e ka ndryshuar, e ka ndryshuar. Çështja është sistemi”, tha ai.
/rtsh.al/