E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda mbledhjes së Ramës me drejtuesit e qarqeve/ Kryesocialisti vendos detyrat: Përgatituni për zgjedhjet e 2027

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një sërë porosish për drejtuesit politikë të qarqeve dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së zhvilluar në Pogradec.

Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe “Dokumenti Besa” dhe “Prania Besnike”. Rama u ka kërkuar drejtuesve që t’i lexojnë me kujdes këto dokumente dhe t’ua përcjellin edhe kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të PS-së në degët lokale.

Kryeministri ka kërkuar gjithashtu një prani më të madhe të drejtuesve politikë në komunitete, duke i nxitur ata të jenë më pranë qytetarëve dhe problematikave të tyre.

Një pjesë e diskutimit i është kushtuar reformës territoriale. Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë të analizojnë arsyet pse në disa bashki të drejtuara nga socialistët ka pasur pakënaqësi dhe reagime negative.

Në mbledhje është diskutuar edhe roli i kryetarëve të komisioneve parlamentare. Rama u ka kërkuar atyre të jenë më aktivë në komunikimin publik, veçanërisht sa i përket ligjeve të reja dhe ndryshimeve që po ndërmerren.

Një tjetër mesazh ka qenë ai për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Kryeministri u ka kërkuar strukturave socialiste që përgatitjet për zgjedhjet e pranverës së ardhshme të nisin që tani.

Në fund, Rama ka kërkuar edhe mendime konkrete për përmirësimin e bashkëpunimit mes ministrave, deputetëve, drejtuesve politikë dhe drejtorëve të institucioneve vendore, me synimin për të rritur koordinimin dhe funksionimin e strukturave në terren.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›