E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda shtëpisë së Linda dhe Edi Ramës

TIRANE-Mjaft të kapërcesh derën e apartamentit të Një-shit të socialistëve, për të kuptuar se kureshtja paskësh qenë e përligjur. Aq më tepër që nuk bëhej fjalë për një kureshtje që gërvisht gjithkënd, me idenë për të zbuluar detajet e mjedisit në të cilin jeton një person i njohur me të shoqen. Më shumë se kaq, ishte një lloj besimi se përtej gjendeshin detaje të pazakonta, unike. Dhe ashtu qe. Në atë hapësirë të organizuar për t’i krijuar vetes komoditet, gjeje detaje specifike domethënëse për banorët e saj... E kuqe që ndihmon energjinë, e gjelbër që nxit meditimin. Po, këto ngjyra binin fort në sy. Porse e pazakonta qëndronte në detaje të tjera, që zbulohen një nga një, pas shikimit të parë të shpejtë.
Me të kapërcyer kuadratin e derës, depërtoje brenda dritës që mbushte atë hapësirë unike banimi. Shumë dritë që vinte nga vetrata e madhe sa i gjithë krahu gjatësor i banesës. Një dritë e nevojshme sidomos për stinën e dimrit, e ndihmuar tepër prej orientimit nga jugu. Majtas, këndi i ndenjes thjesht funksional. Kolltuku i Ramës, i gjelbër, por mbi të gjitha i rehatshëm. Djathtas, tryeza e ngrënies për 8 persona, e kuqe. Ndoshta, detaji i parë që binte në sy për pazakonshmërinë. Asgjë të përbashkët me tryeza ngrënieje që mund t’i gjesh ngado, nëpër banesa luksoze apo modeste, moderne apo etnike... asgjë të përbashkët me tryezat e restoranteve që zgjedhin të të joshin herë me dizajn klasik e herë rustik... Mund të gjendej vetëm aty, në atë apartament të përmbytur nga drita, në katin e fundit të një pallati të ri përballë Drejtorisë së Policisë. Të tetë karriget qenë të ndryshme, në formë dhe ngjyrë. Një e gjelbër, një e bardhë, dy a tri të tjera gri dhe po aq të kuqe. Njëra me krahë për të mbështetur bërrylat e një tjetër thjesht me shpinore. Mbi tryezë, veç luleve, një mulli piperi tejet i madh dhe i kuq. Nuk e kishte harruar Linda nga darka e shkuar. Dekor? Pyes zonjën e shtëpisë. Kurse ajo buzëqesh: “Jo, pjesë e domosdoshme e tryezës. Është një nga përbërësit e gatesave që Edi nuk harron kurrë ta përdorë”.
Tek syri kalon në detajet e tjera të shtëpisë, është e lehtë të kuptosh se ka shumë që ngacmojnë kureshtjen dhe nxisin pyetje. Po këto këpucë në bibliotekë?! Kafe e errët. Takat tepër të larta, ngjajnë me dy skulptura të gdhendura në një akull që nuk shkrin kurrë. Linda më rrëfen (ndoshta nuk e dinte se doja ta bëja publik këtë detaj). Janë këpucët e dasmës. I ka veshur vetëm gjatë ceremonisë së stërmadhe kur shkëmbyen unazat në tetorin e dy viteve të shkuara. Sakaq janë shndërruar në një lloj simboli, në një relikt. Veçse jo vetëm për ceremoninë në të cilën i ka përdorur, por edhe për faktin tjetër (tejet i rëndësishëm ky): janë dhuratë e së bijës, Reas. Në krah të këpucëve në të njëjtin raft, një shishe e pluhurosur vere: “Dhuratë e një mikut tonë të përbashkët. Vera ka moshën tonë”. Ishte prodhim i vitit 1964. E vetmja shishe, për shkak të domethënies së saj që ishte vënë veçmas të tjerave, që ishin me të vërtetë shumë në dy mbajtëse të posaçme shishesh, të vëna në dy cepa të këndit të ngrënies.
Në faqen e bardhë të murit mbi njërin prej divaneve, një pikturë e Edi Hilës (nga pikturat e Ramës, në mure ka vetëm dy, me korniza të bardha dhe paspartim, nga ato të kohës kur ishte kryetar bashkie dhe vizatonte më lapustila mbi shkresa, me të cilat më pas hapi një ekspozitë). Në krah të pikturës së Hilës, për të cilën Rama vetë ndihet tejet krenar, pasi mendon se është më ë mira e ish-kolegut të tij, një foto. Koha ka lënë gjurmë mbi të, por e bën më joshës portretin bardhezi të një gruaje, mbi format e të cilit, drita ka luajtur në mënyrë të përkryer. “Aneta. – i përgjigjet Linda pyetjes sime të shprehur mesa duket me mimike, apo me përqendrimin e gjatë mbi foto. - E gjeta në studion e babait të Edit”. (Më tregon se ka gjetur në atë studio, gjatë vajtje-ardhjeve të saj të herëpashershme, sa e sa gjëra interesante. I ka marrë, duke i dhënë një lloj kënaqësie edhe nënës së burrit të saj, e cila nuk ka guxuar kurrë ta kapërcejë derën e studios së të shoqit, që pas ikjes së tij nga bota e të gjallëve). Nën foton bardhezi të Aneta Ramës (sipas Lindës është e Niko Xhufkës), mbi parket, thjesht e mbështetur pas murit, një tjetër. Me ngjyra kësaj here. Kishte një aftësi magnetike: tregonte, mbi një trotuar me kalldrëm të ngjashëm me trotuaret e bulevardit të Tiranës, rindërtuar shumë vite më parë, sipas modelit fillestar bërë nga italianët, një gjethe e vetme rënë nga pema që dukej si një palë buzë të kuqe gruaje. A thua se ishin prej vërteti, shkëputur nga fytyra e rënë mu mbi atë trotuar të ftohtë, gri. Ngjitur, një tjetër kornizë. Piktura e parë e Edi Ramës, të cilën e ëma ia ka ruajtur, kushedi e ç’viti është. Kurse një pikturë e Gregut, që djali e ka bërë dhuratë për Edin & Lindën, është ende e mbështjellë tub në pritje për t’u vënë në kornizë. E ndoshta, meqë nuk është piktura e Gregut në mur, nuk është as ndonjëra prej pikturave të Reas, me të cilat Linda ka dekoruar të gjitha hapësirat e mureve të zyrës së saj.
Në bibliotekë, vetëm në raftin e sipërm disa libra arti. Fare pak tituj kanë të bëjnë me letërsinë, apo të tjera kësisoj, veç në mos blerjet e fundit, siç mund të jenë disa prej librave të panairit të nëntorit. Mbretëron argumenti politik. Në anglisht, frëngjisht apo italisht plot tituj librash politikë, studime apo analiza... dhe biografi të protagonistëve e politikës botërore bashkëkohore: Toni Blair, Bill Clinton, George Bush... Siç më thotë Linda, përmasat relativisht të vogla të bibliotekës në këtë shtëpi, kanë privuar tituj pafund librash, qoftë të sajat apo qoftë të të shoqit, që janë detyruar t’i mbyllin nëpër kuti. Kanë bërë një përzgjedhje sipas nevojave të momentit, ndaj dhe bien fort në sy në bibliotekë (që veçse për të mbajtur libra, ka edhe funksionin e ndarjes së zonës së ditës nga ajo e natës) librat e trashë të politikës (mes tyre edhe “Kurbani”, pa dyshim). Revistat kanë tejmbushur një tavolinë të gjatë dhe të ulët. Sepse banorët e kësaj shtëpie nuk i shpërfillin mesa duket. Por më krijohet përshtypja se ajo është “zona” e Lindës. Jo thjesht për praninë e ca pak revistave femërore, por më shumë për titujt e revistave ekonomike, kryesisht “The economist”, që nisur nga profesioni, besova se janë të sajat. Nuk e pyeta se kush i ka sjellë në shtëpi, hamendësova se gjithsesi i interesojnë edhe një politikani të tilla revista. Kurse për disa qindra disqe që janë renditur në një tjetër raft, ma thotë vetë Linda që janë të sajat, madje me njëfarë keqardhjeje, për faktin se shumë më tepër se ç’janë aty, i është dashur, ashtu si librat, t’i mbyllë në kuti, në pritje që t’i hapë kur të zhvendosen në shtëpinë tjetër me të cilën gruaja prej disa vitesh po merret, por që do ende kohë të përfundojë...
Në këtë ndërkohë të qëndrimit tonë në shtëpinë e Lindës dhe të Edit (të cilën gruaja e ka gjetur të konceptuar qysh më parë nga i shoqi, por pa asnjë peng për shkak të mospjesëmarrjes së saj në arredim, ngase i pëlqen shumë) telefoni bie herë pas here apo lajmëron nëpërmjet sinjalit të ndonjë mesazhi. Në më të shumtat e rasteve, merret vesh qartë, është i shoqi. Ndodh kjo, rregullisht çdo ditë, edhe nëse Linda është në zyrë duke punuar apo duke shijuar një kafe në baret rreth punës... E thirri pra, edhe atyre orëve të gjata të qëndrimit tonë në shtëpinë e tyre, disa herë. Veç mundesha ta merrja me mend nga ëmbëlsimi i tipareve të fytyrës së gruas se çfarë i thoshte... Ndërsa ora i afrohej gjashtës së pasdites, dielli kishte rënë e bashkë me të edhe drita në shtëpi...

(Marre nga Revista Psikologji/Panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›