E Diel, 1 Nëntor 2026

“Brenda vitit mbyllen 10 kapituj”, qeveria miraton të tjera projektligje që lidhen me procesin e anëtarësimin

Qeveria synon që brenda këtij viti të mbyllë të paktën 10 kapituj sa i përket procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi se konferenca e 8-të ndërqeveritare tregoi qartë se objektivat e vendit tonë janë të arritshëm.

“Jemi duke pritur të gjitha rekomandimet për ato që do të jenë kushtet përmbyllëse dhe urojmë që brenda këtij viti të arrijmë në përmbylljen e të paktën 10 kapitujve. Nuk mund t’i përmend kapitujt, sepse duhet të ulemi në tryezë me palën europiane, në mënyrë që të arrijmë në finalizimin e tyre”, tha Koçiu.

Numri dy i qeverisë gjatë deklaratës për mediat ironizoi dhe opozitën që sipas saj kanë hedhur pretendime të pavërteta për ngecje të procesin të anëtarësimit të Shqipërisë në Union.

“Siç e patë, konferenca e tetë ndërqeveritare tregoi qartë se procesi po ecën. Çdo aludim tjetër janë thjesht pretendime të opozitës, të cilave iu dha përgjigjja, duke dëshmuar se pretendimet e tyre janë të pavërteta”, tha Koçiu.

Për të përparuar me procesin e negociatave Këshilli i Ministrave miratoi dy vendime,  për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm 2030 dhe partneriteti strategjik me agjencitë e OKB.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›