E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania fton gjermanët për avionin e ri, Londra i propozon Berlinit t’i bashkohet projektit luftarak ajror

Britania i ka hapur derën Gjermanisë për t’iu bashkuar një projekti të ri evropian për avionët luftarakë, pas dështimit të një programi të përbashkët franko-gjerman. Kryeministri britanik Andy Burnham tha gjatë vizitës në Berlin se Londra është e hapur për përfshirjen e Gjermanisë në programin “Global Combat Air Programme”, të njohur si GCAP.

Në këtë projekt Britania bashkëpunon me Italinë dhe Japoninë për zhvillimin e një avioni të gjeneratës së re, që do të zëvendësojë avionët aktualë Eurofighter Typhoon dhe Mitsubishi F-2.

Burnham tha se këtë mundësi ia kishte paraqitur edhe kancelarit gjerman Friedrich Merz gjatë bisedimeve në Berlin. Por Merz nuk komentoi publikisht mbi mundësinë e përfshirjes së Gjermanisë në programin britanik. Berlini mbeti pa projektin e tij të përbashkët me Francën dhe Spanjën, pasi programi “Future Combat Air System” u përplas me mosmarrëveshje mes kompanive të përfshira.

Projekti u dobësua veçanërisht pas kërkesës së kompanisë franceze Dassault për më shumë kontroll, duke shkaktuar përplasje me palën gjermane dhe Airbus. Përfshirja e Gjermanisë në GCAP mund të jetë e vështirë, pasi kompanitë britanike, italiane dhe japoneze kanë ndarë tashmë pjesën më të madhe të punës në projekt.

Ndërkohë, kompania suedeze Saab është përmendur si një tjetër partner i mundshëm për Gjermaninë dhe Airbus në zhvillimin e avionit të ri luftarak. Pavarësisht dështimit të projektit kryesor, Franca dhe Gjermania thonë se pjesë të tjera të bashkëpunimit ushtarak, përfshirë sistemet e komunikimit dhe dronët luftarakë, do të vijojnë, ndërsa një tjetër konsorcium me Airbus po i propozon Berlinit zhvillimin e avionit të ri në mënyrë të pavarur.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›