E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Broja rrezikon Kombëtaren/ Dëmtimi mund ta lërë 6 deri në 12 javë jashtë

Ndoshta po mendojmë më keq sesa duhet. Gjithsesi, faktet janë që Armando Broja mund të rrezikojë ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë në nisje të eliminatoreve të Kampionatit Botëror.

Kënaqësia që 23-vjeçari u kthye shpejt në fushë që nga lëndimi I pësuar në Premier Ligë në ndeshjen në fushën e Bornmuthit, zgjati pak, po aq pak sa zgjati koha e tij në terren.

Në duelin e Kupës së Anglisë në “Gudison Park” ndaj Peterborout, Broja u aktivizua në 68’, por mori një goditje të rëndë në fund, një ndërhyrje e ashpër e cila e detyroi të dilte me barrelë në 90’.

U deshën rreth 7 minuta që shqiptari të mund të dilte nga terreni dhe ndeshja të vazhdonte.

Sa e gjatë pritet që të jetë mungesa?

Tek Evertoni ende nuk kanë siguri, por ndoshta flitet për një periudhë riaftësimi nga 6 deri në 12 javë.

Trajneri kujdestar, Leiton Bejns, deklaroi pas ndeshjes se fjala ishte për një dëmtim të pjesës së poshtme të këmbës dhe se dhimbja ishte e madhe, ndërsa mësohet se është problem në kavilje.

Kombinuar me lëndimet e mërparshme që Broja ka pasur, kjo ndalesë mund të jetë shumë e paparashikueshme.

Mjaft të themi se problemi është në kaviljen e këmbës së djathtë, në të njëjtën këmbë ku pësoi dëmtimin e rëndë në ligamentin kryq të gjurit, kur mbeti plot 274 ditë pa luajtur, ndërsa ishte me Çelsin.

Padyshim që sulmuesi kuqezi rrezikon dy ndeshjet e para të eliminatoreve të Kupës së Botës në 21 mars në “Uembli” të Londrës kundër Anglisë dhe në 24 mars në Arenën Kombëtare ndaj Andorrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›