E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, sot nis raundi i dytë i bisedimeve Kosovë-Serbi

Mbahet sot raundi i dytë i bisedimeve Kosovë-Serbi. Takimi do të zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy delegacioneve të kryesuara përkatësit nga zevëndëskryeminstrja e Kosovës Edita Tahiri dhe diplomati serb Borko Stefanoviç. Bisedimet do të vazhdojnë me tema të tjera nga ato që janë diskutuar rreth dy javë më parë. Në fokus të dialogut do të jenë çështja e telekomunikacionit, energjisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.
 

Ndryshe nga takimi i parë që zgjati dy ditë, ai do të jetë njëditor dhe nuk pritet të rezultojë me ndonjë marrëveshje në mes Prishtinës dhe Beogradit, edhe pse Brukseli si asistues i këtyre bisedimeve, synon nxjerrjen e një dokumenti për çështjen që do të bihen dakort të dyja delegacionet.
 

Tahiri, ka pranuar se nuk ka ndonjë plan të veprimit apo strategji për temat dhe mënyrën e trajtimit të tyre, por ka përjashtuar çdo mundësi që të tejkalohen të ashtuquajturat vijat e kuqe, siç konsiderohen diskutimet mbi pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
 

Ndërsa, Stefanoviç ka theksuar se çështja e librave amzës dhe furnizimi i serbëve në Kosovë me energji elektrike, do të jenë temat kryesore. Mirëpo Stefanoviç ka tërhequr vërejtjen se vendi i tij nuk mund t`i dorëzojë Kosovës librat amzës që nga Kosova janë çuar në Serbi pas bombardimeve të NATO-s pasi, sipas tij, kjo do të thoshte ikje nga sovraniteti.
 

Ai ka thënë se Serbia është e gatshme të japë vetëm kopje të librave të amzës, ndërkaq sa i përket furnizimit me energji elektrike, ai ka qenë më optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›