Bruksel, sot takimi Kosovë-Serbi për kornizën ligjore
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë fillojnë sot një raund të ri negociatash në Bruksel, ku një nga temat do të jetë edhe çështja e ndryshimeve ligjore që implikon zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit.
Aktualisht, Prishtina zyrtare thotë se nuk dihet se sa ligje do të mund të implikonte zbatimi i marrëveshjes, ndërsa në Beograd thonë se Kosova do të detyrohet të ndryshojë shumë ligje.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi thotë se ende nuk dihet numri i saktë i këtyre ligjeve. Por, sipas tij, Kosova ka ligje tejet fleksibile të cilat mund të jenë të zbatueshme edhe në rastin e implementimit të marrëveshjes.
Ndërkohë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se grupi punues do të jetë ai i cili do të identifikojë ligjet për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Sipas tij, Kosova është ajo që do të duhet të ndryshojë shumicën e ligjeve për të zbatuar këtë marrëveshje. Sa i përket Serbisë, ai ka thënë se baza ligjore e zbatimit të marrëveshjes do të vendoset me miratimin e ligjit kushtetues.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë bashkë me planin e zbatimit, pritet të dalë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
Si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, pritet të themelohet dhe bashkësia e komunave serbe, kompetencat e kësaj bashkësie thuhet se kërkojnë ndryshime në kornizën ligjore të Kosovës.