E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli mbështet shqiptarët, nuk bën tifozllëk për asnjë forcë politike

Nga Genc Mlloja

Genc-MllojaAty-këtu ndeshen ide të nënkuptuara të ndonjë politikani apo analisti mediatik sikur Bashkimi Europian, madje persona të caktuar të Komisionit Europian në Bruksel, do të dëshironin që kjo apo ajo forcë ose koalicion politik të vinte në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në Shqipëri më 23 qershor të këtij viti. E kjo nuk po ngjet vetëm më Bashkimin Europian; është vënë re edhe në interpretimet e deklaratave të shpeshta të Ambasadorit të SHBA, Aleksandër Arvizu mbi zgjedhjet.

Pa dyshim një mbështetje e tillë (e munguar në fakt) për secilën forcë politike do të ishte një dhuratë me vlerë të shtuar në kulmin e fushatës së ethshme elektorale, që po kalon çdo masë për nga intensiteti i saj këtu në Shqipëri.
Edhe pse një gjë e tillë duhet përjashtuar pa shumë koment nisur nga fakti i thjeshtë i statusit të diplomatit, por meqenëse mu dha rasti të isha në Bruksel me një grup gazetarësh nga Shqipëria ku programi dy-ditor i vizitës në Komisionin Europian (28-29 maj 2013) përfshinte takime me shumë zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, si dhe me eurodeputetin Eduard Kukan në Parlamentin Europian, nuk i shpëtova tundimit thjesht të paraqes disa mendime të tyre lidhur me politikën shqiptare ndaj integrimit në BE dhe domosdo pritshmëritë nga zgjedhjet e ardhshme.

Politika duhet të përmbushë pritëshmëritë, nevojat dhe shpresat e qytetarëve. Ky ishte i përmbledhur mesazhi që perceptova të transmetuar në forma të ndryshme nga të gjithë zyrtarët e Komisionit Europian jo vetëm kur bënin ekspozenë e tyre për çështje të caktuara të marrëdhënieve Shqipëri-BE, por edhe kur pyeteshin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ne.

Komisioni Europian nuk ka atributin që të mbështes ndonjë forcë politike. U takon qytetarëve shqiptarë të vendosin me votën e tyre, ishte mesazhi tjetër uniform i të gjithë zyrtarëve të strukturës së Komisionit që na takuan.
Kjo nuk do të thotë se Brukselin zyrtar hezitohej të komentoheshin zhvillimet politike dhe konkretisht ngjarjet që lidhen me zgjedhjet.

Atmosfera politike duket e polarizuar dhe është e nevojshme që udhëheqësit politikë të bashkëpunojnë meqenëse dialogu politik është themelor për përparimin e vendit, na tha Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësuese së Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Sigurimin, Baroneshës, Catherine Ashton.
Koincidencë ndoshta por është fakt se kjo deklaratë u bë pikërisht para asaj dite (30 maj) kur në Tiranë parlamenti miratoi tre ligjet e famshme të mbiquajtura tashmë si ligjet e BE-së.

Në një mënyrë pasionante, shumë sinqerisht dhe pa doreza, Eduard Kukan, kryetar i delegacionit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian në mbrëmjen e 29 majit, disa orë para së në Tiranë të merrej vendimi për tre ligjet na deklaroi: Politikanët duhet të gjejnë zgjidhjen për hir të vendit. Ju lutem ua thoni këtë mesazh politikanëve tuaj.

Po kështu për zgjedhjet e 23 qershorit fjala kyç ishin standardet. Të gjithë partitë politike janë përgjegjëse për të garantuar standarde të nivelit europian dhe pavarësinë e organeve zgjedhore. Populli shqiptar meriton zgjedhje të drejta dhe te besueshme, na tha Peter Stano, zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, të cilin nuk patëm mundësi ta takonim për shkak të angazhimeve të papritura që i dolën.
Një dialog i sinqertë dhe konstruktiv ndërmjet partive politike është vendimtar përballë gjithë zhvillimeve politike, vuri në dukje Stano, duke mos munguar të theksojë se një Komision Qëndror i Zgjedhjeve me vetëm 4 anëtarë të maxhorancës nuk ishte normal.

Këtyre mesazheve për dialog ndërmjet aktorëve të politikës shqiptare iu shtua ato ditë jo rastësisht një koment i shefit të delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadorit Ettore Sequi, i cili pas votimit të tre ligjeve më 30 maj do të deklaronte shkurt se votimi tregoi se politika e polarizuar shqiptare i ka aftësitë të punojë sëbashku!

Dhe pikërisht kjo kërkohet edhe për zgjedhjet e 23 qershorit jo vetëm për zhvillimin e tyre të rregullt por edhe për numërimin dhe pranimin e rezultatit më 24 qershor. Dukej qartë që këtë dëshironte dhe shpresonte Brukseli të arrihej këtë radhë.
A do të ndodhë? Të papriturat janë bërë gjërat më të zakonshme të politikës shqiptare edhe përballë thirrjeve të tilla të drejtpërdrejta se politika duhet të mendojë për dëshirën e popullit shqiptar që të anëtarësohet ne BE.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›