E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujtina “Tomadhe”, përvojë autentike për vizitorët pranë natyrës

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Investimet në agroturizëm po krijojnë destinacione të reja që pasurojnë ofertën turistike të vendit, duke promovuar njëkohësisht vlerat natyrore dhe kulinarinë tradicionale.

Një prej tyre është bujtina “Tomadhe”, e vendosur në një zonë të qetë të Tiranës pranë Ujëvarës së Shëngjergjit dhe Liqenit të Lepurit, dy prej atraksioneve natyrore të zonës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo bujtinë që ndërthur arkitekturën tradicionale me komoditetet moderne, duke ofruar një përvojë autentike për vizitorët.

“Me gatime tradicionale të përgatitura me produkte të freskëta vendase, si edhe aktivitete në natyrë si hiking, biking dhe shëtitje, ‘Tomadhe’ është një zgjedhje e preferuar për turistët vendas dhe të huaj”, u shpreh Rama.

Bujtina “Tomadhe” është mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) përmes Skemës Kombëtare, në kuadër të nxitjes së investimeve në agroturizëm.

Përveç akomodimit, vizitorët kanë mundësi të shijojnë gatime tradicionale të përgatitura me produkte të freskëta të zonës, ndërsa mund të angazhohen edhe në aktivitete në natyrë, si ecje malore, çiklizëm dhe shëtitje.

Zhvillimi i strukturave të tilla po kontribuon në promovimin e potencialit turistik të zonave rurale, duke krijuar mundësi të reja për ekonominë lokale dhe duke i ofruar vizitorëve eksperienca të lidhura ngushtë me natyrën, traditën dhe kulturën vendase.

1 nga 12

/m.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›