E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulevardi i ri i Tiranës, Basha: Premtim i mbajtur! Do korrigjojmë çdo shpronësim

TIRANE- Nisi sot puna për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, një prej veprave më të mëdha të kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha në fjalën e rastit duke e cilësuar nisjen e punimeve për Bulevardin e Tiranës ‘ditë historike’, tha se ai është premtim i mbajtur.

"Sot jemi dëshmitarë të transformimit më të madh të ndodhur ndonjëherë në Tiranë. Fillimi i punimeve është historike, pasi qyteti ynë rritet përditë. Sot jam i lumtur se hapim një korridor të ri për Tiranën, për punësim dhe gjelbërim. 2 vjet më parë e premtuan këtë projekt, sot po mbajmë premtimin”, tha Basha. 

Numri 1 i Tiranës, u shpreh se kur projekti u shpall dy vite më parë shumë ishin skeptik, pasi qytetarët ishin mësuar me fjalë shumë dhe punë pak, por tashmë sipas tij gjërat janë ndryshe.

“Kur e shpallëm si projekt shumë kush ishte skeptik, pasi ishin mësuar prej vitesh me fjalë shumë dhe punë pak dhe ja ku jemi sot. Ne e kemi thënë se jemi ndryshe dhe ja ku jemi. Ne i shërbejmë qytetarit se ky është misioni ynë. Ne nuk jemi politikanë të fjalëve dhe premtimeve boshe. Bulevardi do krijojë mijëra vende punë dhe do sjellë risi nga ana kulturore dhe do shtojë gjelbërim”, shtoi Basha teksa falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për Emirin e Kuvajtit dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen. 

Në mbyllje të fjalës së tij, Basha ka siguruar banorët të cilët prej ditës së djeshme kanë nisur protestat për shpronësimet. Kryebashkiaku Basha tha se do të dëgjohet cdo pretendim dhe do korrigjohet cdo shpronësim. Ndërkohë, i dërgoi një mesazh dhe kundërshtarit politik duke i kërkuar që të mos përdorë banorët për axhenda personale, pasi nuk do mundet dot. 

Projekti 
Bashkia e Tiranës ka në dispozicion fondin prej 61.000.000.00 euro për zbatimin e projektit të studios arkitekturore “Grimshaw Architects”, për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Punimet e zbatimit të këtij projekti do të financohen nga marrëveshja e financimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur në datë 21 Prill 2013, me vlerë 54.000.000.00 euro si dhe grantit nga qeveria e Katarit me vlerë 7.000.000.00 Euro.

Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, godina e re e Bashkisë dhe institucione të tjera publike, qendra biznesi etj.

Korridori i lëvizjes përgjatë bulevardit veri - jug si dhe unaza veriore e qytetit do të sjellin zgjidhje afatgjatë për zhvillimin e qytetit, në lidhje me transportin, trafikun, infrastrukturën urbane dhe mbetet zgjidhja e vetme për një mjedis sa më ekologjik. Ky projekt përveç se dyfishon gjatësinë e bulevardit kryesor të Tiranës, do të krijojë një rrugë për një qasje të re të madhe, për shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet, duke u bërë në këtë mënyrë projekti më i rëndësishëm në Tiranë në 80 vitet e fundit.

Aktualisht lumi i Tiranës është një zonë e lënë pas dore dhe në disa vende është kthyer në vend grumbullimi të mbetjeve të ndryshme urbane. Zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës. Zona urbane që ndikohet nga ky projekt është 14 km2. Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë:

* Krijimin e vendeve të reja të punës gjatë zbatimit të projektit

* Zhvillimi ekonomik i zonës

* Vlerësimi i pronës

* Rritja e kapaciteteve të komunitetit për të aksesuar financime të ndryshme

* Rritja e të ardhurave nga taksat nga zhvillimi i projekteve të reja përgjatë këtij korridori

Studioja arkitekturore e kontraktuar për hartimin e master planit të kësaj zone ka dorëzuar në datën 30 mars 2013, projektin final të zbatimit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës. Ajo është përzgjedhur nëpërmjet një konkursi me juri ndërkombëtare, ku morën pjesë 7 nga studiot më prestigjioze të planifikimit urban dhe arkitekturës dhe ku u përzgjodh fituese studioja britanike “Grimshaw Architects”. 

Bulevardi i ri i Tiranës, sot nis ndërtimi. Pronarët, protestë për vlerën e shpronësimit
Sot do të nisë puna për një prej veprave më të mëdha të kryeqytetit, ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Firma që do të ndërtojë bulevardin e ri të Tiranës është "Copri Construcsion Enterprise LLW", e njëjta firmë që ndërtoi autostradën Tiranë-Elbasan dhe tunelin e Elbasanit. Zbatimi i projektit "Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës" ka një rëndësi vitale për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së kryeqytetit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies dhe të zhvillimit të vrullshëm ekonomik të Bashkisë Tiranë. 

Ndërkohë që dy ditë më parë, Qeveria miratoi vendimin për shpronësimin e pronarëve që preken nga ky projekt. Ditën e djeshme ata kanë nisur protestat për vlerën e shpronësimit, e cila sipas tyre është qesharake. Kompensimi i pronarëve që preken nga ky projekt është 263 mijë lekë për metër katror. Por banorët janë shprehur të pakënaqur dhe kanë deklaruar se do të vijojnë protestat edhe gjatë ditëve në vijim nëse nuk i jepet zgjidhje problemit të tyre, dhe të kompensohen me vlerën e tregut. 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›