Bullizmi në shkolla, fenomen shqetësues, faktor ndikues i dhunës mes të rinjve

Vitet e fundit janë shtuar rastet e dhunës mes nxënësve, si brenda ashtu edhe jashtë institucioneve arsimore. Sociologët theksojnë se kjo situatë lidhet ngushtë me mungesën e prindërve në jetën e përditshme të fëmijëve, ndikimin e mjedisit ku rriten dhe përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale.
“Është përhapur masivisht shumë, është shqetësuese në disa raste. Madje, në Korçë në 5 vitet e fundit kemi parë dhe agresivitete ekstreme, siç ishte dhe rasti i 14-vjeçarit që është goditur me sende shumë të forta nga bashkëmoshatarët e vetë.
Rivaliteti, gjuha e rrjeteve sociale, ndikimi që kanë dhe bashkëmoshatarët e vetë jashtë audiencës shkollore tek sjelljet e tyre, janë negative sepse të rinjtë janë në disa ekspozime dhe aksese të cilat ende është herët për t’i kuptuar”, deklaroi sociologia Maria Dojçe.
Sipas saj, frustrimet emocionale që shfaqin fëmijët janë tregues i një krize sociale, pasi ata ndodhen mes fëmijërisë dhe botës së të rriturve, pa një drejtim të qartë. Në këtë situatë, Dojçe ju bën thirrje të rinjve të tregojnë më shumë empati dhe mirëkuptim, duke refuzuar dhunën si mënyrë komunikimi.
“Duhet të dinë që nuk është modeli i dhunës, i të fortit, i muskujve ai që çon drejt avancimit, drejt jetës së suksesshme, por është aftësimi profesional, edukimi i duhur, respekti, toleranca dhe pranimi i të ndryshmit. Duhet t’i rikthehemi humanizmit, vlerave humane, vlerave solidare dhe empatisë me patjetër, sidomos në sistemet shkollore”, shtoi sociologia.
Sociologia thotë se të rinjtë duhet të mbështeten kur kanë të drejtë dhe të kritikohen kur gabojnë, për të ndërtuar përgjegjshmëri dhe vlera qytetare.
/RTSH/