Bungo e Zhusti takim me studentët në Korçë, bisedë e hapur me regjisorin dhe aktorin e shfaqjes “Profesionisti”

Regjisori i mirënjohur Leka Bungo dhe mjeshtri i teatrit dhe kinematografisë Viktor Zhusti, kanë zhvilluar këtë të premte një takim me të rinjtë e qytetit të Korçës. Me ftesë të Universitetit “Fan Noli” është organizuar kjo bisedë e hapur, ku studentë e gjimnazistë kanë patur mundësi të diskutojnë me ta rreth shfaqjes “Profesionisti” që do të vihet në skenën e teatrit të Korçës këtë fundjavë. Për regjisorin Bungo këto takime janë shumë të vlefshme për t’i transmetuar brezit të ri rëndësinë e artit dhe kulturës.
Regjisori Bungo ka folur edhe për përzgjedhjen e veprës së dramaturgut të shquar Dushan Kovaçeviç, ku spektatori shqiptar gjen veten.
Ndërsa aktori Viktor Zhusti ka ndarë me të pranishmit tematikën e shfaqjes, duke e cilësuar atë një vepër kualitative të cilën nuk duhet të humbasin.
Shfaqja “Profesionisti” do të ngjitet në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës për tre netë me radhë duke nisur nga kjo e premte. Pas Korçës, do të vijojë rrugëtimin e saj në Tiranë e më pas në Athinë.
/rtsh/