E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg vrasësit të rojes në Vlorë, Kleanth Bylyku akuzohet se bashkëpunoi me vrasësin me pagesë nga Rumania

Gjykata e Vlorës ka lënë në qeli Kleanth Bylykun, i njohur ndryshe edhe me emrin Armando Gega, njëri nga autorët e dyshuar të vrasjes së Renato Hoxhajt, ngjarje e ndodhur më 27 prill.

42-vjeçari u arrestua nga policia më 1 gusht, teksa po udhëtonte me një mjet tip Audi. I prangosuri është një emër i njohur për policinë, pasi më herët rezulton i dënuar për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, në lidhje me vrasjen e rojes në Vlorë, Renato Hoxhaj, ekzekutori tashmë i identifikuar nga policia vijon ende të jetë në kërkim. Kanë qenë hetimet e bluve që zbardhën ngjarjen e rëndë, ku në bazë të provave të gjetura në vendngjarje u dokumentua se shtetasi rumun në kërkim është ekzekutori me pagesë, i ndihmuar në këtë krim nga Bylyku.

Pas vrasjes, shtetasi rumun ka arritur të largohet nga Shqipëria.

Për vrasjen e Hoxhajt, më herët u arrestua edhe Eris Mehmetaj, i akuzuar si bashkëpunëtor. Ky i fundit, sipas policisë, dyshohet se ka siguruar automjetin me të cilin autori ka lëvizur në Vlorë ditën e ngjarjes. Mehmetaj ishte mik i Roan Brahimit, i ekzekutuar në Greqi.

Burime pranë grupit hetimor shprehen se pista kryesore e ekzekutimit mbetet ajo e përplasjes së bandave kriminale. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se 58-vjeçari i vrarë mund të ishte informator i grupeve rivale, ndërsa urdhri për eliminimin e tij u dha nga Dubai.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›