Butoni i artë për “The Beat Killers”, gjysmë finalja e parë e “Albania’s Got Talent” në natën e ndërrimit të viteve

Vajzat e grupit “The Beat Killers” janë finalistet e katërta të zgjedhura nga anëtarët e jurisë për t’u bërë automatikisht pjesë e finales së madhe të spektaklit “Albania’s Got Talent”.
Ishte Ledina Çelo ajo që shtypi butonin e artë pas performancës mbresëlënëse të vajzave, të cilat rrëmbyen jo vetëm zemrat e jurisë, por edhe ato të publikut.
Mbrëmja e së hënës mbylli një prej etapave më të rëndësishme të formatit, atë të audicioneve, ku për shtatë javë me radhë, dhjetëra talente shpalosën aftësitë e tyre përpara jurisë. Një rrugëtim sa i bukur, aq edhe sfidues, ku çdo të hënë ndjeheshin emocionet e garës.
Nata e fundit e audicioneve përzgjedhëse startoi me zërin e ëmbël të Reana Bajramit.
Muzika tradicionale dhe arti ishin në fokus të kësaj puntate. Grupi “Syziu Folk” tundën skenën me muzikë dhe valle popullore, ndërsa Esteban Hoti i dha jetë tingujve të çiftelisë.
Edhe këtë mbrëmje, juria u tregua e drejtpërdrejtë me komentet e saj. Katër “Po”-të e tyre i rrëmbyen Ermis Arra, gjeniu i numrave, si edhe Brigel Aliçkolli, me potencën e tij në skenë.
Audicionet përmbyllëse nuk ishin më të mirat për disa prej konkurrentëve, të cilët nuk mundën të kalonin në fazën tjetër, duke ndërprerë kështu rrugëtimin e tyre.
Konkurrentët tashmë kanë hyrë në garën e vërtetë. Nata e parë gjysmëfinale do të mbahet më datë 31 dhjetor, në një puntatë speciale dhe plot surpriza. Veç konkurrentëve të “Albania’s Got Talent”, do të ketë edhe shumë të ftuar specialë, emocione, argëtim dhe një show të vërtetë televiziv, që vetëm Vizion Plus di ta dhurojë.