E Hënë, 2 Nëntor 2026

Buxheti 2025, rialokohen 11.8 miliardë lekë. Fokusi, te siguria digjitale, bujqësia dhe administrata publike

Qeveria ka rishikuar buxhetin 2025, duke rialokuar 11.8 miliardë lekë, ku fokusi do të jetë në mbështetjen e sektorëve prioritarë, por edhe në nxitjen e mëtejshme të investimeve publike.

Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, ndërsa rishikimi vjen si nevojë për të garantuar përdorimin sa më efikas të fondeve publike që erdhi pas një analize të kujdesshme që u bë në lidhje me performancën 5-mujore të ecurisë së zbatimit të projekteve, si dhe të vlerësimit të pritshmërive për realizimin e mëtejshëm të tyre.

Sektorët ku do të kenë edhe mbështetjen më të madhe të këtyre fondeve do të jenë forcimi i sigurisë digjitale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës kombëtare në masën 5.6 miliardë lekë.

Gjithashtu do të miratohet një skeme e re e Garancie Sovrane për sektorin e Bujqësisë, me një vlerë rreth 3 miliardë lekë, me qëllim rritjen e aksesit në financë kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por edhe krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë.

Rialokimi do të sjellë edhe një rishpërndarje të disa fondeve të brendshme, në kuadër të përmirësimeve në teknologjinë e informacionit në administratën publike.

Pavarësisht këtij rishikimi, deficiti buxhetor mbetet i pandryshueshëm, në nivelin rreth 68.1 miliardë lekë dhe si rrjedhim edhe borxhi publik nuk ndryshon.

Ministria e Financave shprehet se ky rishikim do të sigurojë konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›