E Hënë, 2 Nëntor 2026

Buxheti 2026: 27.7 mld lekë për skemat dhe shërbimet sociale

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ – Programi i Kujdesit Social në buxhetin e vitit 2026 kap vlerën 27.7 miliardë lekë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, bëri të ditur se sektori i kujdesit dhe mbrojtjes sociale përbën 33.6% të buxhetit total të ministrisë, ose 3.1% të buxhetit të shtetit dhe rreth 1% të PBB-së.

Mbrojtja sociale mbështetet përmes tre programeve kryesore: Ndihma Ekonomike, Skema e Aftësisë së Kufizuar dhe Shërbimet e Kujdesit Social. “Këto programe mbështesin familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët, të moshuarit dhe viktimat e dhunës dhe trafikimit”, u shpreh Sala.

Ajo theksoi se buxheti i Programit të Kujdesit Social për vitin 2026 përfshin: 2.3 miliardë lekë për Bonusin e Bebes; 850 milionë lekë për nënat me tre ose më shumë fëmijë, me 8,300 përfitues; 15.3 miliardë lekë për rreth 94,000 persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre; 1.4 miliardë lekë për institucionet rezidenciale me 1,200 përfitues; si dhe 400 milionë lekë për Fondin Social, një rritje prej 22.2%, që mbështet 95 shërbime komunitare në 61 bashkitë e vendit.

“Buxheti 2026 për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale nuk është thjesht një grup shifrash, por një investim te njerëzit, dinjiteti dhe mundësitë e barabarta”, deklaroi Sala.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›