Buxheti për Rininë, Muzhaqi: 54% më i rritur se këtë vit, do investohet në 654 laboratorë smart

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Buxheti për rininë është rritur me 54% krahasuar me vitin e kaluar. Kështu bëri me dije në fjalën e saj në Kuvend, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila tha se ky buxhet synon fuqizimin e të rinjve shqiptarë përmes programeve gjithëpërfshirëse që janë parashikuar gjatë vitit të ardhshëm.
“Buxheti i Rinisë, është një obligim kombëtar. Buxheti i Agjencisë Kombëtare të Rinisë është rritur me 54% krahasuar me vitin e kaluar. Janë financuar 49 projekte dhe programe të cilat kanë mbështetur plot 34 mijë të rinj. Gjatë tre viteve të fundit përmes investimeve, kanë qenë plot 15 qendra multifunksionale në të gjithë Shqipërinë që i kemi bërë bashkërisht. Agjencia kombëtare e Rinisë ka realizuar mbi 200 aktivitet në të gjithë Shqipërinë, ku kanë marrë pjesë mbi 15 mijë të rinj nga e gjithë vendi. Kemi ngritur dhe bërë funksionale 61 këshilla vendore rinor në gjithë Shqipërinë”- tha Muzhaqi.
Ministrja nënvizoi se shumë nga institucionet shtetërore kanë programe të mirëfillta për fëmijët dhe të rinjtë duke përfshirë mbështetje për trajnimin dhe rritjen e mundësinë për të rinjtë.
“Program i kodimit në shkolla, ka përfshirë mbi 35 mijë nxënës, në mësimin e aftësive digjitale duke sjellë një qasje moderne në arsimin teknologjik”- tha ministrja.
Muzhaqi nënvizoi se në 2025 do të investojnë në 654 laboratorë smart duke rritur zbatimin e programit.
Ministrja bëri me dije se janë mbështetur 1800 programues që janë diplomuar në vetëm dy vite.
Në projektbuxhetin e vitit 2025 janë planifikuar 333 milionë lekë, të cilat do të shkojnë në mbështetje të drejtpërdrejtë për të rinjtë, krahas dhe investimeve të tjera indirekte për rininë.
“Janë planifikuar 333 milionë lekë për të rinjtë, pjesa thelbësore do të shërbejë për të mbështetur projekte rinore, edukimin jo formal dhe fuqizimin e organizatave rinore për të mirë të të rinjve. 50 milionë lekë do të investohen në infrastrukturë”- tha Muzhaqi.
/a.f/