E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylis-Lushnja, një supersfidë me shampanjën gati për festë

Kategoria I Ballshiotëve u mjafton një pikë për Superioren dhe 3 për titullin kampion

Bylis ka dominuar totalisht kampionatin e Kategorisë së Parë, por kësaj llogarie i mungon 1 pikë për ngjitjen e sigurt në Superiore dhe 3 pikë për të garantuar matematikisht edhe titullin kampion në këtë sezon. Ballshiotët kanë koleksionuar 20 fitore në 26 ndeshje, tashmë në kuotën e 63 pikëve, duke e çuar në 11 diferencën e pikëve nga ndjekësi më i afërt, Elbasani. Por sot, në javën e 27 të edicionit, e ka mundësinë ta vërë edhe “qershinë mbi tortë” dhe të hapë shampanjën e festës. Megjithatë, Bylisi nuk do ta ketë të lehtë realizimin e këtij objektivi, edhe pse luan në shtëpinë e tij. Kundërshtari që pret përballë është Lushnja, një nga pretendentet shumë ambicioze për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, e cila do të kërkojë më të mirën nga ndeshja e sotme në Ballsh. Pas fitores bindëse 4-0 me Partizanin, lushnjarët janë përpara një tjetër prove të madhe ndaj Bylisit kryesues, për të dëshmuar sa u vlen “lëkura”. Ballshiotët nuk kanë humbur asnjë ndeshje në shtëpi, madje i kanë të gjitha fitore. Skuadra e Ilir Spahiut komandon bindshëm gjithë sezonin e Kategorisë I. Fitorja e Bylisit do ta shpallte këtë të fundit matematikisht kampion, e do të niste edhe hapjen zyrtare të shampanjës. Bylisi është “çelësi” i suksesit apo dështimi i katër skuadrave që synojnë një vend në Kategorinë Superiore: Elbasani, Lushnja, Kamza dhe Partizani. Skuadra ballshiote në katër javët e fundit të Kategorisë së Parë do të përballet me Lushnjën (java 27, në Ballsh), me Kamzën (java 28, në Kamëz), me Pogradecin (java 29, në Pogradec) dhe Elbasanin (java 30, në Ballsh). Megjithatë presidenti i ballshiotëve ka garantuar se Bylisi do të luajë ndershmërisht deri në fund dhe se nuk ka ndërmend të tolerojë ndaj asnjë kundërshtari. Ndërkohë që të tjera ndeshje të rëndësishme do të luhen këtë javë në Kategorinë I. Në Skrapar, skuadra tjetër pretendente, që mban vendin e dytë në klasifikim, Elbasani, do të ketë një transfertë vendimtare, por edhe mjaft të vështirë. Sepse skraparllinjtë rrezikojnë shumë, sa i takon qëndrimit në kategorinë e parë, ndaj kanë një rrugë të vetme, fitoren. Kamza e vendit të katërt do të udhëtojë drejt Librazhdit, për t’u ndeshur me Sopotin vendas, që renditet në fund të klasifikimit dhe shpresat e tyre për të qëndruar në këtë kategori janë shuar përfundimisht. Humbja e kamzalinjve në Librazhd i komplikon shanset e tyre për të luajtur në sezonin e ardhshëm në Superiore.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›