E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bylykbashi: Komisioni i Venecias foli qartë, Kuvendi ta dërgojë rastin Xhaçka menjëherë e pa vonesë tjetër në Gjykatën Kushtetuese

Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi në një konferencë për mediat deklaroi se Opinionin i Komisionit të Venecias, ashtu siç pritej ishte një goditje e fortë për përpjekjet e Edi Ramës për të bllokuar zbatimin e kushtetutës.

Siaps tij çdo veprim i Kuvendit dhe kryetares së tij në kundërshtim me këto vendime të Gjykatës dhe interpretimin e Komisionit të Venecias, përbën demonstrim të qartë të vullnetit konstant për injorimin, anashkalimin, apo shkeljen e Kushtetutës nga Edi Rama, qeveria dhe mazhoranca socialiste e udhëhequr prej tij, dhe gjithashtu përbën edhe vepër penale.

Deklarata e plotë e Bylykbashit:

Komisioni i Venecias sot foli qartë e me zë të lartë: vendimet e Gjykatës Kushtetuese që detyrojnë Kuvendin e Shqipërisë të dërgojë rastin Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të vihen në pikëpyetje, zvarriten, minohen, pengohen apo bllokohen nga Kuvendi me votën e mazhorancës.

Komisioni i Venecias thekson se zbatimi I vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në tërësi apo edhe në rastin konkret, në lidhje me konfliktin e interesit dhe heqjen e mandatit të deputetes Xhaçka, janë të detyrueshme për Kuvendin si organ, për mazhorancën politike në Kuvend dhe për çdo deputet individualisht.

Komisioni I Venecias konstaton në paragrafin 13 se Kuvendi është i detyruar ta çojë çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatë, por se deri më sot Kuvendi ende nuk i ka zbatuar dy vendimet detyruese të Gjykatës.

Komisioni i Venecias rrëzon përpjekjen e Edi Ramës dhe shumicës socialiste për tu fshehur pas parimit kushtetues të ndalimit të mandatit detyrues apo ndryshe mandate I lirë I deputetit. Komisioni I Venecias thekson se ky parim do të thotë se deputeti është deputet I Republikës, përfaqësues I popullit dhe është I lirë në qëndrimet dhe votën e tij nga vullneti I partisë që e ka kandiduar, përfaqëson apo edhe elektoratit që e ka votuar.

Por ky parim nuk zbatohet ndaj vendimeve te Gjykatës Kushtetuese sepse  detyrimi për Kuvendin dhe çdo deputet, që të zbatojë Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk përbën çështje vullneti të lirë por zbatim të Kushtetutës dhe se ky detyrim buron nga parimet e kushtetushmërisë, shtetit të së drejtës dhe luajalitetit kushtetues mes organeve kushtetuese.

Komisioni i Venecias në paragrafin 22 thekson se Kuvendi nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve si justifikim për të moszbatuar vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese.

Në rastin specifik, Komisioni i Venecias thekson se Gjykata ka marrë dy vendime the zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet nga një votim apo nga vullneti i një shumice parlamentare. Me fjalë të tjera, pavarësisht vullnetit negativ të shprehur me votë nga shumica socialiste, Kuvendi duhet të zbatojë urdhërimin e Gjykatës dhe ta dërgojë çështjen e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.

Në 2014 u desh një marrëveshje politike me mbështetjen e Parlamentit Europian dhe dhjetë vjet më vonë, në 2024 u desh një ndërhyrje e Komisionit të Vencias për të detyruar Edi Ramën për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo, sepse Edi Rama është dhunues recidivist I Kushtetutës dhe ligjit.

Partia Demokratike e konsideron opinionin e Komisionit të Venecias, ashtu siç pritej nga kushdo me një arsye të shëndoshë politike dhe juridike, një goditje të fortë për përpjekjet e Edi Ramës për të bllokuar zbatimin e kushtetutës dhe thekson se çdo veprim I Kuvendit dhe kryetares së tij në kundërshtim me këto vendime të Gjykatës dhe interpretimin e Komisionit të Venecias, përbën demonstrim të qartë të vullnetit konstant për injorimin, anashkalimin, apo shkeljen e Kushtetutës nga Edi Rama, qeveria dhe mazhoranca socialiste e udhëhequr prej tij, dhe gjithashtu përbën edhe vepër penale.

Kuvendi duhet ta dërgojë rastin Xhaçka menjëherë e pa vonesë tjetër në Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›