Bypassi i Tiranës, në fazë përfundimtare/ Karakaçi: Projekti shmang trafikun në kryeqytet dhe lidh korridoret kryesore

Bypass-i i Tiranës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore që po realizohet aktualisht në vend, me një gjatësi prej 21 kilometrash dhe standarde të kategorisë A, duke u renditur si rrugë ndërurbane kryesore.
Puna në terren ka nisur në dy fazat e para dhe deri më tani është arritur mbi 30% e volumit fizik të punimeve.
Projekti, me një gjatësi prej 21 kilometrash, parashikon ndërtimin e një rruge të kategorisë A, e cila do të shërbejë si rrugë ndërurbane kryesore, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin dhe duke shmangur trafikun brenda kryeqytetit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan ecurinë e punimeve në terren.
Karakaçi e cilësoi bypass-in si një nga kantieret më strategjike të vendit, pasi do të mundësojë ndërlidhjen e autostradës Milot–Thumanë–Kashar me vazhdimin Kashar–Lekaj, pjesë e Korridorit Adriatiko–Jonian, si dhe lidhjen e autostradës Durrës–Tiranë me autostradën Tiranë–Elbasan, pjesë e Korridorit VIII.
“Në fakt është ndër kantieret më strategjik që ne kemi, sepse bën ndërlidhjen ndërmjet korridorit Adriatiko-Jonian, Thumanë-Kashar dhe pastaj vazhdimin e Kashar-Lekaj, autostradës vijuese dhe po ashtu ndërlidhjen ndërmjet Tiranë-Durrës dhe autostradës së Elbasanit, duke bërë dhe shmangien e hyrjes në qytetin e Tiranës. Ky projekt shmang hyrjen në qytetin e Tiranës dhe krijon një rrjet të integruar rrugor që i shërben jo vetëm kryeqytetit, por gjithë vendit”, u shpreh ministri.
Një element i rëndësishëm i projektit është edhe adresimi i kërkesave të komunitetit lokal. Përveç ndërtimit të bypass-it, janë parashikuar rrugë dytësore dhe lokale që do të sigurojnë akses për banorët dhe bizneset në të dy anët e segmentit. Kjo pritet të rrisë mundësitë e zhvillimit ekonomik në zonat përreth.
Nga ana e tij, drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, theksoi se ecuria e punimeve është mjaft pozitive dhe synimi është përfundimi i tyre përpara afatit të kontratës.
“Në këtë projekt janë përfshirë vepra të ndryshme arti, si tombino, kanale kulluese, mure mbajtëse prej betoni dhe me fasadë gabioni, si dhe një urë me gjatësi 53 metra linearë e ndarë në tre hapësira dritë”, deklaroi ai.
Aktualisht, në të dyja fazat e kantierit po punohet paralelisht për ndërtimin e trupit të rrugës dhe veprave të artit, duke e bërë bypass-in e Tiranës një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore që pritet të transformojë qarkullimin rrugor në vend.
/rtsh.al/