E Shtunë, 31 Tetor 2026

Byroja e Kuvendit ndëshkon 4 deputetë të PS-së

Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi mbrëmjen e djeshme lirimin e përfaqësuesit të LSI në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Në vend të Ilirjan Muhos, u emërua me 73 vota Klement Zguri i propozuar nga Partia Republikane. Por, para votimit parlamenti u përfshi nga tensione, pas një përplasje mes disa deputetëve socialistë dhe deputetit Kastriot Islami.

Pas seancës parlamentare, Byroja e Kuvendit ndëshkoi deputetët Gazmir Bizhga, Sajmir Tahiri, Ndrecë Deda dhe Arben Çuko. Bizhga, Deda e Çuko u përjashtuan për 21 ditë, ndërsa Sajmir Tahiri u dënua më 14 ditë përjashtim nga Parlamenti.

Vendimi i publikua në faqen e Kuvendit ku thuhej se “Byroja e Kuvendit nën drejtimin e Kryetares se Kuvendit, në mbledhjen e datës 15.04.2013, mori në shqyrtim veprimet e dhunshme të deputeteve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, Arben Çuko dhe Sajmir Tahiri. Këta deputetë me veprime të dhunshme tentuan të pengonin deputetët që të ushtronin funksionin e tyre kushtetues për të votuar çështjet e rendit të ditës.  Deputetët e mësipërm ju morën kartat e votimit, tre deputetëve.

Veprimet e mësipërme të dhunshme për të mos lejuar deputetët për të votuar, u shoqëruan edhe me kërcënime e fjalë fyese ndaj këtyre deputetëve.

Pas vlerësimit të këtyre rrethanave, në unanimitet, Byroja e Kuvendit mbështetur në nenin 65 pika 2 të Rregullores vendosi ndalimin për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në séance plenare dhe në Komisione të deputetëve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, dhe Arben Çuko për 21 ditë, dhe për deputetin Sajmir Tahiri për 14 ditë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›