E Diel, 1 Nëntor 2026

Byrotë e Kreditit, projektligji i ri: Historiku financiar dhe “credit score” do të ndikojnë në vlerësimin e huamarrësve

TIRANË, 8 gusht/ATSH/– Shqipëria pritet të krijojë një kuadër të ri ligjor për funksionimin e Byrove të Kreditit, një mekanizëm që synon të ndryshojë mënyrën se si bankat dhe institucionet financiare vlerësojnë aftësinë e individëve dhe bizneseve për të marrë kredi.

Nisma është pjesë e reformave të sektorit financiar dhe synon të përmirësojë aksesin në financim, duke krijuar një sistem më të plotë të informacionit mbi historikun financiar dhe detyrimet e huamarrësve. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit e ka renditur legjislacionin për Byrotë e Kreditit ndër nismat që synojnë lehtësimin e aksesit në financim për individët dhe bizneset.

Nga regjistri i kredisë te një vlerësim më i plotë financiar

Në thelb, Byroja e Kreditit do të shërbejë si një strukturë e specializuar për mbledhjen, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit financiar dhe kreditor për individët dhe bizneset.

Një nga risitë kryesore të pr/igj që është hedhur për konsultim publik është krijimi i një profili më të plotë të huamarrësit, mbi bazën e të dhënave që lidhen me historikun e pagesave dhe detyrimet financiare. Këto të dhëna do të mundësojnë edhe përllogaritjen e një “credit score”, ose note krediti, e cila do t’u japë huadhënësve një tregues të standardizuar mbi nivelin e riskut të një klienti.

Në praktikë, kjo do të thotë se vendimmarrja për dhënien e një kredie nuk do të mbështetet vetëm në të dhënat e një kredie të mëparshme, por në një panoramë më të gjerë të sjelljes financiare të aplikuesit.

Çfarë përfitojnë qytetarët?

Për qytetarët, krijimi i një sistemi të tillë synon të sjellë një vlerësim më objektiv të aftësisë së tyre për të marrë kredi.

Një person që ka një histori të rregullt pagesash dhe përmbush në kohë detyrimet e tij financiare mund të ndërtojë një profil pozitiv kreditor. Kjo mund t’i ndihmojë në të ardhmen për të pasur akses më të mirë në produkte financiare.

Nga ana tjetër, sistemi synon të shmangë edhe dhënien e kredive pa një vlerësim të mjaftueshëm të aftësisë paguese, duke ulur rrezikun që një individ të marrë hua që nuk është në gjendje ta përballojë.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për tregun e kredive konsumatore dhe mikrofinancimit, ku një vlerësim më i plotë i riskut mund të ndihmojë në parandalimin e mbingarkesës me borxhe.

Përfitime edhe për bizneset

Byroja e Kreditit synon të jetë një instrument edhe për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Një biznes me histori të mirë financiare mund të ketë një profil më të qartë për institucionet financiare dhe, në parim, të ketë më shumë mundësi për të aksesuar financim.

Për bankat dhe kreditorët, informacioni më i plotë mund të reduktojë pasigurinë dhe kostot që lidhen me vlerësimin e riskut të klientit. Kjo mund të ndikojë në zgjerimin e kreditimit dhe në krijimin e një tregu më konkurrues financiar.

Çfarë rregullon projektligji?

Kuadri i ri ligjor synon të përcaktojë rregullat për funksionimin e Byrove të Kreditit, mënyrën e mbledhjes dhe përpunimit të informacionit, subjektet që mund të aksesojnë të dhënat dhe kushtet në të cilat ato mund të përdoren.

Një element i rëndësishëm është edhe mbrojtja e të dhënave personale. Sipas modelit të diskutuar për krijimin e Byrosë, funksionimi i saj do të shoqërohet me mbikëqyrje dhe rregulla për mbrojtjen e informacionit të individëve dhe bizneseve.

Pra, qëllimi nuk është thjesht krijimi i një tjetër regjistri të kredive, por ndërtimi i një infrastrukture informacioni që mundëson një vlerësim më të plotë dhe më të standardizuar të riskut të huamarrësit.

Një tjetër efekt i pritshëm është rritja e transparencës në marrëdhënien mes huamarrësit dhe kreditorit.

Me një sistem të standardizuar sipas modelit europian.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›