E Shtunë, 31 Tetor 2026

CEZ per largim apo jo vendimi brenda vitit

Kompania CEZ, e cila ka privatizuar sistemin e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri, pritet të marrë një vendim brenda vitit, për largimin apo jo të saj nga vendi ynë. Një lajm i tillë bëhet i ditur në median bullgare, të specializuar në sektorin e energjisë “Publics.bg”. në artikullin e një dite më parë, në këtë gazetë theksohet se “kompania elektrike çeke CEZ ka bërë me dije se do të vendosë përfundimisht në fund të këtij viti, nëse do të nisë ndërtimin e një impianti prodhimi me gaz në Hungari dhe nëse do të shesë njësinë e shpërndarjes në Shqipëri, me të cilën po has mjaft probleme”.

Media bullgare citon Tomas Pleskac, drejtorin e departamentit ndërkombëtar të CEZ, i cili ka ankesa si për nivelin e lartë të vjedhjeve në degën shqiptare, ashtu edhe me autoritetet tona. “Në Shqipëri kemi dy probleme mjaft shqetësuese, nivelin e lartë të vjedhjeve të energjisë elektrike nga rrjeti, si dhe mungesën e aftësisë paguese të klientëve”, citon “Publics.bg” drejtorin e departamentit ndërkombëtar të CEZ.
Më tej në artikull vërehet se CEZ ka investuar rreth 120 milionë euro në degën shqiptare, por për shkak të problemeve me shitjen e energjisë si dhe problemeve me kuadrin rregullator mbi të cilin bazohet aktiviteti i kompanisë, ka raportuar për gjysmën e parë të vitit 2012 një total humbjesh prej 2.3 miliardë koronash ose 119 milionë dollarësh. Siti përmend edhe takimin e drejtuesve të CEZ-it me Kryeministrin Sali Berisha, ku të dyja palët kishin rënë dakord që të lëviznin sa më shpejt për zgjidhjen e situatës. Ndërsa CEZ bëri me dije se mund të lërë Shqipërinë, Kryeministri shqiptar premtoi ngritjen e një ekipi që do të negociojë me shoqërinë çeke. “CEZ do të vendosë deri në fund të vitit nëse do ta shesë kompaninë e shpërndarjes dhe ka sinjalizime se interes për të kanë shfaqur blerës të ndryshëm, përfshi qeverinë shqiptare, fonde investimesh dhe shoqëri që operojnë në tregun e energjisë”, citon media bullgare, Pleskac.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›