COVID-19/ Shumë vende i vendosin kufizime të udhëtimit, Kina kërcënon me ‘kundërmasa’

Kina po përjeton një shpërthim mbarëkombëtar të koronavirusit pas lehtësimit të papritur të kufizimeve që ishin në fuqi për pjesën më të madhe të pandemisë. SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Australia janë ndër kombet që kanë njoftuar masa më të ashpra të testimit të Covid për udhëtarët nga Kina si pasojë e shqetësimeve për mungesën e të dhënave për infeksionet dhe frikën e mundësisë që mund të shfaqen variante të reja.
“Ne besojmë se kufizimet e hyrjes të miratuara nga disa vende që synojnë Kinën nuk kanë bazë shkencore dhe disa praktika të tepruara janë edhe më të papranueshme. Ne jemi kundër përpjekjeve për të manipuluar masat e Covid-it për qëllime politike dhe do të marrim kundërmasa bazuar në parimin e reciprocitetit”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Mao Ning në një konferencë.
Komentet ishin më të mprehtat e Kinës deri më sot për këtë çështje pasi Australia dhe Kanadaja këtë javë iu bashkuan një liste në rritje të vendeve që u kërkojnë udhëtarëve nga Kina të bëjnë një test Covid përpara se të hipnin në fluturimin e tyre.
Kina, e cila për pjesën më të madhe të pandemisë miratoi një strategji “zero-Covid” që vendosi kufizime të ashpra që synonin të zhduknin virusin, i lehtësoi befas këto masa në dhjetor.
Autoritetet kineze thanë më parë se nga 8 janari, vizitorët nuk do të kenë më nevojë të karantinohen me të mbërritur në Kinë, duke i hapur rrugën banorëve kinezë për të udhëtuar.
Sot pritet të merren vendimet e BE-së për një vendim të përbashkët për të trajtuar shpërthimin e koronavirusit në Kinë. Vendimet mund të përfshijnë maska dhe teste të detyrueshme përpara se pasagjerët të largohen nga vendi, ranë dakord dje zyrtarët shëndetësorë të BE.
/rtsh.al/