E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana: “Danimarka, një mision i pamundur”Mesfushori flet pas humbjes: “Ishte jashtëzakonisht e vështirë për ne”. Kapiteni i Marsejës: “E ndoqa ndeshjen nga tv, doja të isha në Kopenhagen”

“Më erdhi keq që nuk munda t’i ndihmoj shokët e mi në Danimarkë, por për ne me mungesat që kishim ishte thuajse një mision i pamundur”. Kjo është deklarata e dhimbshme e Lorik Canës pas dy humbjeve me Hungarinë e Danimarkën, gjatë një interviste për faqen zyrtare të klubit të Marsejës. Kapiteni shqiptar i Marsejës foli edhe për nëntë ndeshjet e fundit të kampionatit, që janë konsideruar si nëntë finale për Lorik Canën (20 ndeshje, 1 gol këtë sezon). Cana pohoi se në këtë fazë që është kampionati francez nuk ka mbetur asgjë për t’u kalkuluar, por duhet luajtur me dëshirë deri në fund të sezonit: “Do të jenë nëntë finale, kjo është e qartë. Çdo pikë do të jetë e rëndësishme si në shtëpi, ashtu dhe në transfertë, nuk ka kohë më për asnjë përllogaritje tjetër. Marrjen e maksimumit të pikëve dhe maksimumin e fitimit të ndeshjeve”

Lorik, ti ishe i pezulluar me Kombëtaren dhe nuk munde t’i vije në ndihmë Shqipërisë në Danimarkë (humbje 3-0 për kualifikueset e Kampionatit Botëror), a ndien keqardhje për këtë?
Jashtë mase. E kam ndjekur nga shtëpia përmes televizionit ndeshjen që luhej në Danimarkë. Dihej që do të ishte e vështirë përballë një përfaqësueseje si ajo, që, përveçse ishte e para e grupit, kishte dhe lojtarë të tillë si: Brendtner, Ager apo Pulsen. Ishte jashtëzakonisht e vështirë për ne, duke llogaritur edhe mungesën e disa lojtarëve titullarë. Ishte thuajse një mision i pamundur për ne, por ne bëmë më të mirën e mundshme.

Avantazhi qëndron në faktin se ju erdhët më shpejt për të punuar në stërvitje me ekipin sesa ishte parashikuar...
Nëse zgjedhja do të varej nga mua, do të ishte natyrisht e qartë që do të preferoja të shkoja për të ndihmuar vendin tim. Megjithatë, mbërritja më shpejt në ekip pati anët e mira të saj. Ka diçka më shumë se një muaj që unë jam rikthyer dhe kjo më ka bërë mirë. Kështu që me gjithë trishtimin që nuk munda të shkoja për të ndihmuar bashkëkombësit e mi, unë mund të punoja këtu (në Marsejë). Trajneri ka pasur më shumë lojtarë për të përgatitur ndeshjen e së dielës, e cila do të jetë thelbësore për ne.

Si jeni duke e trajtuar ndeshjen kundër Sent Etienit, që parashikohet të jetë shumë elektrike pasi të “gjelbrit” ndodhen në zonën e rënies nga kategoria?
Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, shumë e komplikuar. Ata do të japin gjithçka në këtë ndeshje, pasi janë në rrezik rënieje. Kanë pasur kohën e duhur për ta përgatitur takimin gjatë pushimit të kampionatit. Ne e dimë se Marseja është kudo e shumëpritur. Për ta do të jetë një nga ndeshjet e vitit. Por kjo bën pjesë në jetën tonë të përditshme. Stadiumi është i jashtëzakonshëm për të luajtur futboll, por dhe për lojtarët gjithashtu. Kemi shansin të shkojmë atje për të luftuar për titullin. Kjo e bën ndeshjen fantastike.

Cila është atmosfera në skuadër përpara sprintit final të sezonit?
Do të jenë nëntë finale, kjo është e qartë. Çdo pikë do të jetë e rëndësishme si në shtëpi, ashtu dhe në transfertë. Nuk ka kohë më për asnjë përllogaritje tjetër. Marrjen e maksimumit të pikëve dhe maksimumin e fitimit të ndeshjeve. Ne duhet të shohim përpara dhe do ta shohim se në cilin vend do ta përfundojmë sezonin.

26 VJEÇ
është mesfushori i Kombëtares shqiptare dhe Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana

36 NDESHJE
Mesfushori kosovar ka luajtur deri tani 36 ndeshje me përfaqësuesen, 1 gol

TRAJNERI
Gerets: “U kënaqa që Cana mori karton”

Ndërsa trajneri i Shqipërisë, Ari Han, e ndjeu veten të “terrorizuar” nga kartoni i verdhë i Lorik Canës të marrë në ndeshjen kundër Hungarisë (0-1, çka i kushtoi edhe mesfushorit kosovar mungesën në takimin me Danimarkën (0-3), ai i Olimpikut të Marsejës, Erik Gerets, u lumturua nga mungesa e kapitenit marsejez përballë danezëve. Sipas Gerets, Loriku është plotësisht i çlodhur dhe i gatshëm për ndeshjen kundër Saint Etienit. “Loriku e mori kartonin e verdhë një moment të mirë për mua, ai erdhi më parë sesa ishte e parashikuar”, - tha trajneri Erik Gerets për mediat e ndryshme franceze. 

E Shtune, 04 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›