Çano: Rritje e kapaciteteve të programimit strategjik dhe transparencës së projekteve të huaja

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Komisioni për Çështjet Europiane zhvilloi një seancë dëgjimore me Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Kjo seancë dëgjimore u fokusua mbi mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për të gjitha projektet buxhetore, si edhe ecurinë e zbatimit të projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian.
Në fjalën e saj, drejtorja e SASPAC, Eridana Çano u shpreh se kjo agjenci është një institucion që në themelin e saj ka proceset koordinuese dhe lehtësuese për mbarëvajtjen e zbatueshmërisë së projekteve të huaja, duke synuar kapitalizimin e suksesit dhe rezultatet konkrete në këtë proces jetik.
“Me mbështetjen e delegacionit evropian dhe asistencës teknike, kemi hedhur hapa të qenësishëm në rritjen e kapaciteteve të programimit strategjik dhe transparencës. Po punojmë ngushtësisht me ekspertët e asistencë teknike për të çuar përpara procese që mbështesin forcimin e vazhdueshëm të transparencës të SASPAC dhe të një plani komunikimi gjithëpërfshirës, i cili targeton jo vetëm institucionet përfituese por edhe publikun e gjerë”, theksoi Çano. /j.p/