Çela: Nevojitet rishikimi i Kodit Penal për veprat që cenojnë zgjedhjet e lira

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela mori pjesë sot në seancë dëgjimore në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore mbi efikasitetin e masave penale në procesin zgjedhor, sfidat e hasura në praktikë dhe nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor për garantimin e integritetit të zgjedhjeve.
Gjatë seancës dëgjimore, Çela bëri të ditur se pranë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm janë trajtuar 134 raste që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Sipas tij, 59% e rasteve janë referuar nga Policia e Shtetit, 20,1% nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), 8,2% janë nisur kryesisht nga prokuroria, 7,5% janë referuar nga subjektet politike dhe 5,2% nga qytetarët.
“Nga rastet e trajtuara rezultojnë të regjistruara 68 procedime penale gjithsej. Ka një rritje të numrit të procedimeve të regjistruara. Hetimet janë përfunduar në një periudhë të shkurtër”, tha Çela.
Duke u ndalur te kuadri ligjor, Çela vlerësoi se Kodi Penal përmban një bazë të rëndësishme për ndëshkimin e veprave që cenojnë zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik, por nënvizoi se disa dispozita duhet të rishikohen.
Ai propozoi që në Kreun 10 të Kodit Penal të parashikohen më qartë forma të cilësuara të veprave penale zgjedhore dhe rrethana rënduese, veçanërisht në rastet kur shkeljet kryhen ndaj më shumë se një zgjedhësi, në bashkëpunim, në mënyrë të përsëritur ose kur ndikimi buron nga pozicioni i autorit ndaj zgjedhësit.
Sipas Çelës, këto ndryshime do të ndihmonin në dallimin mes rasteve individuale dhe skemave të organizuara që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor, si dhe do të krijonin kushte më të përshtatshme për hetime më efektive dhe përdorimin e mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji.
“Disa nga dispozitat e Kreut 10 të Kodit Penal mund të rishikohen për të parashikuar më qartë forma të cilësuara në rastet kur sjellja paraqet rrezikshmëri më të lartë për procesin zgjedhor, duke parashikuar si rrethana rënduese apo forma të cilësuara, rastet kur veprat kryhen ndaj më shumë se një zgjedhësi apo personi në bashkëpunim në mënyrë të përsëritur, kur ndikimi buron nga pozicioni i autorit mbi zgjedhësin etj.”, vuri në dukje ai.
“Për të siguruar dallim më të qartë ndërmjet rasteve individuale dhe atyre që për shkak të mënyrës së kryerjes subjekteve të përfshira apo shtrirjes së ndikimit marrin karakter më të organizuar dhe cenojnë jo vetëm ushtrimin individual të së drejtës së votës por integritetin e procesit zgjedhor në tërësi. Parashikimi i formave të cilësuara dhe rishikimi përkatës i masës së dënimit do të mundësonte një përgjigje penale më profesionale me rrezikshmëri reale të veprës si dhe do të kushtonte kushte më të përshtatshme për hetimin efektiv të rasteve të përsëritura të krimit zgjedhore përfshirë përdorimin kur plotësohen kushtet ligjore te mjeteve procedurale të nevojshme për përdorimin e tyre”, tha Prokurori i Përgjithshëm.
Çela sugjeroi gjithashtu rishikimin e nenit 329 të Kodit Penal, në mënyrë që koncepti i kanosjes ose ndikimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje të mos kufizohet vetëm te kërcënimi fizik, por të përfshijë edhe forma të tjera presioni, intimidimi apo ndikimi që burojnë nga pozicioni i autorit ndaj zgjedhësit.
“Gjithashtu mund të vlerësohet edhe neni 329 i Kodit Penal në mënyrë që koncepti i kanosjes apo ndikimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje të mos kufizohet vetëm në forma të drejtpërdrejta të kërcënimit fizik por të mund të përfshij dhe forma të tjera të presionit, intimidimit ose ndikimit si dhe rrethana cilësuese raste që burojnë nga pozicioni i autorit mbi zgjedhësin”, tha Çela.
/m.q/j.p/r.e/