E Diel, 1 Nëntor 2026

Celibashi me drejtuesit e IFES: Digjitalizimi dhe IA, në funksion të integritetit të zgjedhjeve

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, zhvilloi sot një takim me zëvendëspresidentin për Programet dhe Strategjinë në Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), Christopher Le Mon, si dhe drejtorin e IFES për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë, Nermin Nišić.

Përmes një njoftimi për mediet, Celibashi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi çështje të rëndësishme për zhvillimin dhe modernizimin e proceseve zgjedhore, me fokus te përdorimi i teknologjisë së informacionit në administrimin e zgjedhjeve, ndikimi i inteligjencës artificiale në administrimin, monitorimin dhe garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore, si dhe forcimi i programeve të trajnimit dhe edukimit zgjedhor.

Sipas Celibashit, trajnimi dhe edukimi zgjedhor mbeten faktorë të rëndësishëm për garantimin e proceseve zgjedhore profesionale, transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet KQZ-së dhe IFES, me synim rritjen e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e inovacionit në administrimin zgjedhor.

“Vlerësojmë ekspertizën që IFES ka mbi sistemet dhe proceset zgjedhore në mbarë botën dhe besojmë se bashkëpunimi KQZ-IFES do të kontribuojë në forcimin e integritetit, profesionalizmit dhe besimit publik në proceset zgjedhore në Shqipëri”, u shpreh Celibashi.

Nga ana e tyre, bashkëbiseduesit vlerësuan përparimin e bërë nga KQZ-ja në administrimin e zgjedhjeve, veçanërisht në drejtim të zhvillimeve digjitale.

Sipas vlerësimit të tyre, përdorimi i inteligjencës artificiale në proceset zgjedhore, përfshirë edhe procesin e numërimit të votave, përbën një zhvillim të veçantë në administratat zgjedhore, jo vetëm në rajon, por edhe në nivel global.

Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit institucional për modernizimin e administrimit zgjedhor dhe forcimin e standardeve të integritetit dhe transparencës së proceseve zgjedhore në Shqipëri.

Takimi i kreut të KQZ me përfaqësues të IEFS 1 nga 5

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›